Fitojnë prishtinasit pas dy vazhdimeve

Basketboll

Fitojnë prishtinasit pas dy vazhdimeve

Më: 26 shtator 2021 Në ora: 22:21
Fitojnë prishtinasit pas dy vazhdimeve

Sigal Prishtina pas dy vazhdimeve ka shënuar fitore kundër Bashkimit me rezultat 104:105 (21:32, 24:14, 22:17, 14:18, 23:24), në kuadër të javës së tretë të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.

Bashkimi e nisi ndeshjen më mirë me 6:0, por prishtinasit rikthehen shpejt, duke pasur epërsi deri në dhjetë pikë, 12:22, kurse çereku i parë përfundon 21:32. Por, në periudhën e dytë, basketbollistët nga Prizreni ishin shumë më të mirë në këtë pjesë, ku me kalimin e minutave shkrin epërsinë e bardhekaltërve dhe barazuan rezultatin në 41:41, ndërsa pjesa e parë përfundon 45:46.

Prizrenasit kishin një epërsi të lehtë në periodën e tretë, kurse në fund shkëputen, duke pasur epërsi deri në shtatë pikë, 63:56, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 67:63. 10 minutat e fundit ishin shumë interesant, ku Bashkimi dy minuta nga fundi kishte epërsi 80:71, por prishtinasit nuk dorëzohen dhe rikthehen në fund, ku me dy pikë nga Lejson Zeqiri, barazuan rezultatin në 81:81 dhe sfida shkon në vazhdime.

Edhe në vazhdime u zhvillua lojë interesante e dramatike. Kësaj radhe kryeqytetasit kishin epërsi, por King i Bashkimit me dy pikë në sekondat e fundit e dërgon lojën në vazhdimin e dytë, 91:91.

Adhuruesit e basketbollit kishin rastin të shohin një super duel edhe në vazhdimin e dytë, ku gjithashtu u zhvillua një dramë, por kësaj radhe prishtinasit ishin më të përqendruar dhe fitojnë 104:105. Sigal Prishtina ka një dy fitore dhe një humbje, kurse Bashkimi një fitore dhe dy humbje.

Te Bashkimi u dalluan Immanul King me 21 pikë e 13 kërcime dhe Julien Lewis me 27 pikë e gjashtë kërcime, kurse te Sigal Prishtina u dalluan Lejson Zeqiri me 30 pikë e 10 kërcime dhe Nicholas Tomsick me 26 pikë, gjashtë kërcime dhe gjashtë asistime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat