Prishtina mobilizohet kundër Partizanit! Perçuku: Emocion i veçantë Superkupa Mbarëkombëtare

Basketboll

Prishtina mobilizohet kundër Partizanit! Perçuku: Emocion i veçantë Superkupa Mbarëkombëtare

Nga: Kemajl Goca Më: 7 tetor 2021 Në ora: 14:04
Perçuku

Me emocione të mëdha priten sfidat e Superkupës Mbarëkombëtare në basketboll. 

Katër ekipet më të mira shqiptare garojnë për një trofe, Penza nga Peja, Prishtina, Partizani nga Tirana dhe Flamurtari nga Vlora.

Secila ekip përgatitet dhe ka ambiciet e saja. 

Image

Perçuku në veprim 

Secila ekip është në kërkim të formës më të mirë dhe me synime për të arritur në finalen e madhe, për herë të parë në histori të kësaj ngjarje madhore. 

Përballjet gjysmëfinale priten me kërshëri mes Prishtinës e Partizanit (19.00) dhe Penzës e Flamurtarit (16.00), të cilat do të zhvillohen me 13 tetor dhe finalja luhet me 14 tetor (ora 19.00) në palestrën e sportit në Vlorë! 

Prishtina përgatitet në të gjitha aspektet për Partizanin, me synime vetëm fitorja. 

Basketbollistja Arbnore Perçuku tha se fokusin përveç në kampionat e në Kupën e Kosovës, e kanë edhe në Liga Unike  Kosovë - Shqipëri dhe Superkupën Mbarëkombëtare.

Image

Përçuku me padurim e pret sfidën me ekipin e kryeqytetit shqiptar dhe shpreson e beson se do të ia dalin! 

Në kolektivin bardhekaltër mbretëron atmosferë pune e të gjithë janë me mendje te Vlora e Ismail Qemailit.     

“Jemi përgatit mjaft mirë për Superkupën Mbarëkombëtare. Synimi ynë kryesor është me luftuar për titull dhe Kupën e Kosovës, ku edhe nuk e kemi pasur prioritet Superkupën e Kosovës.

Normal që është një emocion i veçantë Liga Unike dhe Superkupa Mbarëkombëtare, ku marrim pjesë për herë të parë dhe janë pjesë e këtyre garave ekipet me të mira shqiptare. Unë e di si është liga në Shqipëri”, thotë Perçuku për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Basketbollistja e Prishtinës ka njohuri për basketbollin shqiptar, pasi një periudhë ka luajtur me sukses për DHL Basket nga Tirana, Tironën dhe Apolloninë nga Fieri.

Ajo është optimiste për sfidën me Partizanin.

“Kemi njohuri, është ekip e mirë, ka lojtare shumë të mira po ashtu edhe lojtare te huaja. Nuk e dijmë se në çfarë niveli janë,  por e di që liga është shumë e mirë, por edhe ne jemi ekip shumë e mirë.

Na vyen pak me u komponuar (4-5 lojtare jemi ardhur në Prishtinë), na duhet edhe pak kohë.

Prishtina nuk ka me pasur fytyrën e njëjtë si në ndeshjen finale të Superkupës së Kosovës, edhe pse ishim të lodhura nga orari i ngjeshur me ndeshje. Pikat kryesore tona ndaj Partizanit janë kundërsulmet dhe mbrojtja e mirë”, thotë Perçuku.
Basketbollistja tha se Superkupa Mbarëshqiptare është e mirëseardhur në përgjithësi për ekipet. 

“Është shumë e mirë, shpresojmë që mos të kemi ndonjë lëndim për shkak të orari të ngjeshur. Sa më shumë ndeshje aq më shumë rritet niveli i basketbollit femëror, e kjo ligë do të sjell shumë të mira për ekipet tona po ashtu edhe të Shqipërisë”, përfundon Perçuku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat