Greenberg: Pse kam vendosur ta drejtoj kombëtaren e Kosovës?

Basketboll

Greenberg: Pse kam vendosur ta drejtoj kombëtaren e Kosovës?

Më: 23 prill 2017 Në ora: 15:20
Pamje nga konferenca

“Qëllimi jonë është t’i fitojmë ndeshjet, nuk mund të them se sa ndeshje do t’i fitojmë, por mund të them se qëllimi jonë është t’i fitojmë ndeshjet dhe të kualifikohemi. Ne do të vazhdojmë të luajmë, nuk do të jetë lehtë, kjo është më se e sigurt, por askush nuk ka thënë se do të jetë e lehtë, ne do të përpiqemi dhe do të bëjmë më të mirën në parket për të fituar sa më shumë ndeshje dhe për t’u kualifikuar tutje”, kështu është shprehur Brad Greenberg, përzgjedhësi  i ri i kombëtares së Kosovës. Amerikani u prezantua para mediave dhe është optimist. Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu, bëri të ditur se me përzgjedhësin e ri, është nënshkruar kontratë njëvjeçare, e kushtëzuar me rezultatin e parë të fazës parakualifikuese për Kupën e Botës “Kina 2019”. Belegu para gazetarëve ka folur për punën serioze që është duke e bërë FBK në programin e Përfaqësueses A dhe se nënshkrimi i kontratës me trajnerin amerikan Greenberg është vetëm hapi i parë drejt ndërtimit të një skuadre të fortë, e cila do të jetë “arrë e fortë” për kundërshtarët e Grupit C në parakualifikime për “Kina 2019”, ku në grup janë edhe Estonia dhe Maqedonia:

“Kemi punuar shumë në sigurimin e shërbimeve të një trajneri të duhur për Përfaqësuese dhe pas disa javësh bisedime kemi arritur marrëveshje me Brad Greenberg, i cili ne besojmë se do të arrij të realizoj qëllimin tonë, e që është kalimi i grupit C dhe vazhdimi tutje i garave kualifikuese për Kupën e Botës ‘Kina 2019’. Ne si FBK jemi shumë të kënaqur që kemi arritur marrëveshje me Greenberg dhe besojmë se me vullnetin e të gjithëve do t’ia dalim ta kalojmë me sukses këtë sfidë të madhe për Kosovën”.

Ndërkohë Brad Greenberg në pyetjet e shumta të gazetarëve të pranishëm në konferencë ka thënë ndër të tjera se është i lumtur që është në Kosovë dhe se do të punoj me dëshirë të madhe në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. Ai ka folur edhe për lojtarët që pret t’i ketë në Përfaqësuese, ndërsa ka thënë se do t’i pëlqente t’i ftonte në grumbullimin e gjerë të gjithë ata që i kanë mbrojtur ngjyrat e Përfaqësueses së Kosovës në vitin e kaluar.

“Në grumbullimin e parë do të ftoj një grup më të madh të lojtarëve, por disa basketbollistë të rinj në mënyrë që fitojnë përvojë. Ka edhe prej atyre lojtarëve të cilët vitin e kaluar nuk ishin pjesë e Përfaqësueses, por që sivjet kanë shprehur dëshirë ta bëjnë një gjë të tillë dhe ne do t’i ftojmë. Ndërkaq unë besoj se lojtarët që do të luajnë për Përfaqësuesen e Kosovës do të jenë ata që do ta vlerësojnë shumë fanellën e kësaj skuadre dhe ata që në muajin korrik dhe gusht do të mendojnë vetëm për punën në Përfaqësuese”, ka shtuar ndër të tjera Greenberg.

Ai ka folur edhe për faktin se pse e ka zgjedhur Kosovën për të drejtuar në këtë fazë:

“Mendoj se është sfiduese të drejtosh një Përfaqësuese të re siç është kjo e Kosovës. Kemi biseduar gjatë, dhe në fund kam vendosur, mendoj se ka qenë një vendim i duhur dhe besoj se koha do ta dëshmoj një gjë të tillë. Kam qenë asistent i Përfaqësueses së Venezuelës dhe më ka pëlqyer kjo eksperiencë, pra ka qenë unike, ndryshe prej asaj se si është të udhëheqësh një skuadër, andaj kur më është dhënë mundësia, si kjo e Kosovës kam dashur ta provoj dhe kjo është arsyeja pse kam vendosur ta drejtoj Përfaqësuesen e Kosovës”.

Ndërkohë në konferencë për media u prononcua edhe Anton Krump, kryetar i Këshillit Profesional të FBK-së: “Unë jam i lumtur që jam pjesë e një procesi në një vend të tillë siç është Kosova, ku njerëzit e duan shumë basketbollin. Dhe kjo ka shumë rëndësi. Besoj se me vullnetin e madh të njerëzve që e udhëheqin basketbollin në Kosovë do të arrihen gjëra të mëdha si në nivel të Përfaqësueseve, ashtu edhe të punës me gjenerata të reja, pastaj me edukimin e trajnerëve, gjyqtarëve etj. Jam i bindur se për një periudhë të shkurtër Kosova do të ketë vend shumë të mirë në FIBA, dhe kjo do të arrihet vetëm me punë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat