Kampionati do të nisë më 13 tetor

Basketboll

Kampionati do të nisë më 13 tetor

Më: 6 tetor 2017 Në ora: 17:15
Pamje nga një ndeshje

Pas shumë pikëpyetjesh, më në fund është zbardhur struktura dhe data e startit të sezonit të ri 2017-2018 në sportin e basketbollit. Federata Shqiptare e Basketbollit ka bërë me dije se ditën e hënë, më datën 9 tetor, do të hedhë shortin e kampionatit të ri, i cili do të nisë më datën 13 tetor. Jo vetëm kaq, por sezoni i ri do të ketë disa ndryshime në strukturë, kryesisht te femrat, ku edhe numri i skuadrave pjesëmarrëse është më i lartë krahasuar me një vit më parë. Këtë vit do të jenë 10 skuadra në start, një më shumë krahasuar me sezonin e fundit, ndaj ekipet janë ndarë në dy grupe. Ndërsa te meshkujt do të luajnë 11 ekipe sezonin e ri.

Te femrat është rikthyer pas një mungesë 10-vjeçare ekipi i Partizanit, që do të luajë në Grupin B, bashkë me skuadrat e Elbasanit, Apolonisë dhe Kamza Basket, të renditura respektisht në vendet 8-10 sezonin e fundit. Ndërsa në Grupin A, në grupin e më të mirave në bazë të renditjes së sezonit të kaluar, do të luajnë 6 ekipet e tjera: Flamurtari kampion, Goga Basket, Tirana, Vllaznia, Studenti e Skënderbeu.

E njëjta situatë edhe të meshkujt, ku gjashtë ekipet e para do të luajnë në Superligë: Tirana kampione, Teuta, Vllaznia, Kamza Basket, Partizani dhe Eagles Basket. Ajo që bie në sy është ngjitja në Superligë e Eagles, që do të zërë vendin e Ardhmërisë Basket, tashmë një ekip i shkrirë pas dy vitesh ekzistencë me të rriturit. Ndërsa në Kategorinë e Parë do të luajnë skuadrat e Flamurtarit, Apolonisë, Skënderbeu, Elbasanit e Goga Basket, me këtë të fundit që debuton në kampionatin e të rriturve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat