Kombëtarja e Shqipërisë në basketboll do të luajë më 1 korrik ndaj Danimarkës, në sallën sportive “Feti Borova” në Tiranë, ndeshjen e fundit të fazës para-eliminatore të Kampionatit Europian “Eurobasket 2021”. Deri më tani, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Antonios Doukas, kanë 3 humbje në tri sfidat e zhvilluara (dy ndaj Armenisë dhe një ndaj Danimarkës), ndodhen në vendin e fundit të Grupi B dhe nuk kanë asnjë shans për të shkuar më tej.
Ndaj dhe përballja e 1 korrikut është më së shumti për statistikë për kuqezinjtë, pasi i kanë thënë që në shkurt “lamtumirë” këtij eventi. Sipas një informacioni që ka publikuar Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB), kombëtarja është grumbulluar në kryeqytet, ku do të vijojë përgatitjet gjatë këtyre dy javëve deri në sfidën e 1 korrikut. Kuqezinjtë do të stërviten dy herë në ditë, me shpresën që të korrin suksesin e parë në këtë ngjarje.