Aksident tragjik në Gjakovë, vdes basketbollisti Gazmend Sinani

Basketboll

Aksident tragjik në Gjakovë, vdes basketbollisti Gazmend Sinani

Më: 23 qershor 2018 Në ora: 08:00
Gazmend Sinani

Federata e Basketbollit e Kosovës me pikëllim të thellë njofton opinionin për një ngjarje tragjike që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.

Në një aksident rrugor që ka ndodhur në Gjakovë, ka humbur jetën reprezentuesi i Kosovës, Gazmend Sinani.

Në po të njëjtin aksident lëndime trupore kanë pësuar edhe Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti i reprezentacionit Kujtim Shala.

Federata e Basketbollit e Kosovës shpreh ngushëllimet e përzemërta familjes Sinani dhe miqve të Gazmendit për këtë humbje të pakompensueshme.

Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.

Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone.

Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.

Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.

Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak.

Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat