Shatri i kundërpërgjigjet ashpër Sigal Prishtinës

Basketboll

Shatri i kundërpërgjigjet ashpër Sigal Prishtinës

Nga: K. G. Më: 29 korrik 2018 Në ora: 13:34
Fikret Shatri

Ish basketbollisti i mirënjohur, Fikret Shatri, i kundërpërgjigjet klubit të tij, që kaloi periudhën më të artë të tij. “Krerët e klubit basketbollistik Sigal Prishtina (apo ABA BASKET?), të cilët janë duke u krekosur se janë personat me meritorë për arritjet e mëdha që ka pasur ky klub, në mënyrën me të ultë dhe poshtëruese janë duke u munduar që ta fshehin faktin e pamohueshëm se: E kanë shkatërruar në mënyrën më të keqe klubin i cili për një kohë të gjatë ishte sinonim i vlerave dhe kualitetit të basketbollit në Kosovë dhe rajon. Gjendja alarmante në basketbollin e Kosovës siç e cekin ata është produkt kryekëput i punës së tyre josistematike dhe joprofesionale në 5-6 vitet e fundit.

Futja e tyre ne obligime marramendëse ndaj lojtarëve dhe trajnerëve të huaj të cilët janë paguar me të ardhura mujore në vlerë prej 15-30 rrogave mesatare të një qytetari të Kosovës e ka sjellur basketbollin e kryeqytetit në një kolaps total. Mbrapa rezultateve (dy here kampion i Ligës Ballkanike), në të cilën ligë, klubi nuk merr pjesë është fshehur gjendja reale. Gjendje reale dhe faktike është se klubi ka funksionuar prej shtatorit deri në maj, shumica e buxhetit është harxhuar në përforcimet e huaja dhe si rrjedhojë e kësaj, kemi situatën e stinorit pranveror ku mosha mesatare e lojtarëve kryesorë vendorë (të cilët kanë qenë bartës të lojës ) ishte 32 vjet. Sa i përket punës time në klub me duhet të sqarohem para opinionit se unë Fikret Shatri në rolin e trajnerit në Klubin e Prishtinës kam punuar prej vitit 2004 deri në vitin 2015. Dhe atë prej kategorisë së kadetëve deri te skuadra e seniorëve. Me lojtarët si: Edmond Azemi, Granit Rugova, Alban Veseli, Fisnik Rugova, Kenan Spahija, Muhamet Hasani, Arian Maliqi e shumë e shumë lojtarë të tjerë. Me këtë rast duhet ta ceki se punën time e kam bërë me një përkushtim, sakrificë dhe mund të madh. Trofetë të cilët i kam fituar me këta djelmosha janë të shumtë, mirëpo me e rëndësishmja është se gjatë këtij shtegtimi kam krijuar një respekt të ndërsjellët i cili do të zgjatë për tërë jetën tonë.

Sa i përket anës ligjore nuk do shumë analizë apo ekspertizë juridike për të kuptuar se veprimet e këtyre personave janë futur në sferën e penalitetit dhe ofrojnë bazë të mjaftueshme për hetim. E kam parashtruar edhe më herët pyetjen se ku janë institucionet kompetente?  Si mund të anashkalohet fakti se emri ligjor i klubit (KB Prishtina) nuk përdoret në komunikim me MKRS. Faktin se emri ligjor i Klubit Sigal Prishtina është Akademia Basket ABA e gjeni në shkresat qe i kanë dorëzuar në MKRS. Si është e mundur që një person juridik të paraqitet në të njëjtën kohë me dy emra të ndryshëm? Ose bëhet fjalë për KB Prishtina ose për Akademia Basket Aba! Si është e mundur që KB Prishtina të jetë në procedura të shumta përmbarimore, ndërsa në anën tjetër me qëllim të mbështetjes se po këtij klubi, alokohen mjete në një person tjetër juridik? Kjo paraqet një situatë të pastër ku këto manovra, të cilat po tolerohen edhe nga akterët më të lartë, realizohen me qëllim që të pamundësohet realizimi i borxheve të shumta që ka ky klub, për çka flasin dokumentet nga procedurat përmbarimore.

Nëse KB Prishtina është insolvente, atëherë Federata e Basketbollit do të duhej të hetonte situatën dhe në pamundësi të funksionalizimit të saj, do të duhej të ndërmerrte hapa ligjor. Si person që ka investuar shumë kohë dhe mund në këtë klub, një fakt i tillë nuk me vjen aspak mirë por ky është rezultati ligjor që e kanë sjellur po këta persona. Sipas asaj që po e potencojnë në komunikatën, në të cilën më kanë sulmuar mua, KB Prishtina nuk është shuar si person juridik, por është bllokuar funksionimi i saj (me theks financiar) si shkak i borxheve të shumta. Pra si është e mundur që dy entitete juridike të pretendojnë të jenë i njëjti klub. Ne vet shkresat e këtyre personave ceket shprehimisht se emri ligjor i tyre është Akademia Basket Aba, jo si po theksojnëse Akademia Aba është pjesë e KB Prishtina. Sa më shumë po shpalosen, aq me shumë po sharrojnë, aq me shumë po e zbulojnë kriminalitetin e veprimeve te tyre. Në fund dua ta ceki se ky veprim i imi në raport me krerët e klubit është një alarm për parandalimin e të keqes që është duke ndodhur në këtë klub dhe senzibilizimin e opinionit për parandalimin e të keqes”, shkruan Shatri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat