Qallaku: Rahovecit i mungon shumë palestra

Basketboll

Qallaku: Rahovecit i mungon shumë palestra

Nga: Kemajl Goca Më: 28 shtator 2018 Në ora: 12:57
Arian Qallaku

Ekipi i Rahovecit pretendon të jetë në katërshen e madhe të Superligës së Kosovë në basketboll. Rahovecianët janë mirë të përgatitur dhe secilën ndeshje e presin me qetësi, me ambicie për fitore.

Basketbollisti Arian Qallaku, beson e shpreson se me lojëra dhe rezultate do t’i kënaqin edhe tifozët dhe qytetarët rahovecian. Brenga më e madhe e Rahovecit është palestra, por shpresojnë shumë shpejt se ajo do të jetë gati për ndeshjet kampionale, për çka është edhe një lehtësim i madh për ekipin në vazhdim të kampionatit.

“Bota sot”: Rahoveci e ka filluar mbarë edicionin e ri, si e sheh në vazhdim të kampionatit?

Arian Qallaku: Ne e kemi filluar mbarë edicionin dhe shpresoj të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjet tjera. Po si fillim ne jemi duke u përgatitur maksimalisht që këtë edicion të tregojmë lojëra sa më të mira dhe t’i përmbushim synimet tona.

“Bota sot”: Rahoveci në hapje fitoi bindshëm me rezultat 101:85 ndaj Borea-s, a mendoni se është një konfirmim se jeni me të fortë se në edicionin e kaluar?

Arian Qallaku:  Është ende fillimi i kampionatit, po na e kemi një ekip mjaft të mirë dhe ne vazhdim të kampionatit do e shohim edhe kualitetin e lojtarëve të huaj, po ashtu do të shikojmë edhe cilësinë e skuadrës.

“Bota sot”: Në fundjavë do të takoheni me Bashkimin, si e sheh këtë sfidë, si shumë të vështirë dhe ku janë përparësitë?

Arian Qallaku: Po sigurish që Bashkimi është një ekip mjaft e mirë, do të jetë një ndeshje mjaft interesante, por ne shpresojmë të tregojmë një lojë të mirë dhe të dalim me një rezultat pozitiv.

“Bota sot”: Cilat janë synimet e Rahovecit?

Arian Qallaku: Synimet tona janë play- off-i dhe final Four. E jona është të japim maksimumin dhe të arrijmë qëllimet që kemi para vetes.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me kushtet?

Arian Qallaku: Kushtet i kemi mjaft të mira por vetëm na mungon palestra jonë, e cila shpresoj të përfundojnë punimet sa më shpejt.

“Bota sot”:  Çfarë i duhet më shumë Rahovecit dhe cilët janë rivalet më të mëdhenj të saj?

Arian Qallaku: Rahovecit i duhet se pari palestra e cila i mungon shumë. Sigurisht rivali me i madh është Prishtina, por edhe këto ekipet tjera janë përforcuar mjaft dhe do të jetë mjaft interesant deri në fund. Besoj në një kampionat me rivalitet dhe ekipi ynë t’i realizojë synimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat