Krasniqi: Lipjani jeton me basketbollin

Basketboll

Krasniqi: Lipjani jeton me basketbollin

Nga: Kemajl Goca Më: 5 tetor 2018 Në ora: 18:49
Blerim Krasniqi

Në qytetin e Lipjanit jetojnë me basketbollin. KB Lipjani është anëtar i ri i Superligës së Kosovës (meshkujt). Klubi për kryetrajner e ka të mirënjohurin Blerim Krasniqi, që shpreson se me kalimin e kohës do të bëjë një ekip solide dhe sfiduese për të gjithë.  Në ndeshjet e para ka dy humbje Lipjani, por me shpresë se me kalimin e javëve do të arrijnë te rezultatet e dëshiruara. Krasniqi mendon se nisja e përgatitjeve me vonesë dhe fondi jo i mjaftueshëm i lojtarëve, ka bërë që mos të kenë një nismë më të mirë. “Objektivi ynë është me siguruar ekzistencën.

Vonë i kemi filluar përgatitjet, sepse nuk është ditur se Lipjani a mundet mu organizuar me ato probleme që kishte financiare. Më në fund arritën marrëveshjen me mua dhe iu qasem punës. Edhe me fondin e lojtarëve që kemi pasur po ashtu edhe me tre amerikanë të Kolegjit që jemi përforcuar, si dhe Mustafë Malajn e Trepçës, po mundohem të komponohemi.

Tash mbetet për mu organizuar sa më mirë dhe me siguruar ekzistencën, që do të ishte një super sukses, duke u bazuar se Lipjani nuk ka traditë të madhe të basketbollit dhe është hera e parë që debuton në Superligë”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Krasniqi. Kryetrajneri tha se është një vullnet i madh brenda ekipit: “Është një vullnet i mirë brenda klubit dhe besoj se do të arrijmë qëllimin që kemi para vetes.

Kam problem me fondin e lojtarëve, mungon rotacioni i nevojshëm, që është i domosdoshëm, ndërsa ekipet tjera kanë mundësi me bërë at rotacion. Besoj se në afatin kalimtar të janari do të përforcohemi me disa lojtarë me eksperiencë të Superligës”.  Si konkurrent për mbijetesë e sheh vetëm një ekip dhe beson se do të ia dalin. “Ka me qenë vështirë në secilën ndeshje, ndërsa si konkurrent për mbijetesë e shoh Borea-n, me të cilën jemi në të njëjtën situatë. Megjithatë varet prej lëvizjeve në afatin kalimtar se si do të përforcohemi”, theksoi ai.  Javën që e lamë pas Lipjani pësoi humbje në kryeqytet nga Z Mobile Prishtina me rezultat 84:64.

“Në ndeshjen e fundit luajtëm me Z Mobile Prishtina dhe lamë një përshtypje të mirë, edhe pse humbëm me 20 pikë dallim, kur dihet fondi dhe buxheti i madh financiar që ka Prishtina. Kështu që tek ne u kthye sadopak optimizmi, prandaj me një punë të mirëfilltë po ashtu nëse arrijmë mi luajtur ndeshjet në Lypjan,  pra mi plotësuar kriteret që i kërkon FBK, sigurisht se do të jetë më ndryshe dhe një interesim i madh i shikueshmërisë, ku u pa edhe në lojë miqësore me Dritën, salla ishte e mbushur pothuajse nuk kishte vend me vendos as gjilpërën.  Shikueshmëria ishte e madhe dhe sikur të ishte një ndeshje tipike kampionale. Lipjanasit janë të entuziazmuar dhe në çdo hap flitet për basketboll. Dalëngadalë ka me u bë një çerdhe e re e basketbollit në Lipjan dhe që do jetë shumë e mirë për vendin tonë. Lipjani është një vend i vogël dhe një trevë e re, por që janë mishëruar me basketbollin.

Nëse mendohet e punohet seriozisht, mund të bëhet ekip simpatike dhe solide e Superligës. Duhet theksuar se në takim me Z Mobile Prishtinën në kryeqytet shumica e shikuesve ishin nga Lipjanit dhe u vërtetua edhe me brohoritje. Qytetarët e Lipjanit tani kanë një risi, një mundësi për të pa basketboll të mirë në qytetin e tyre. Besoj se kjo do ta nxis edhe më shumë personat apo sponsorët mi ndihmuar edhe financiarisht klubin”, shpreh bindjen Krasniqi. Më tutje flet edhe për ndeshjen që luhet sot në palestrën “Bill Klinton” në Ferizaj, kundër Trepçës.

“Me Trepçën e kemi pak problem, do ta zhvillojnë si vendas në Ferizaj. Të stërvitesh në një palestër në Lypjan, me dimensione me të vogla dhe të luash në sallën ‘Bill Klinton’, ndikon shumë në ekipin tonë, mos të them se jemi edhe mysafirë. Të ushtrosh në një atmosferë tjetër dhe të luash diku tjetër është vështirë. Jam optimist nëse e përsërisin ndeshjen sikundër Prishtinës mundemi me fituar Trepçën. Ekipi ende nuk është komponuar mirë, ende nuk janë bërë tri javë që jemi bashkë dhe vyen kohë mu homogjenizuar ekipi”, përfundoi Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat