Fetahu: E humbëm një mik të madh

Basketboll

Fetahu: E humbëm një mik të madh

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 15:15
Fetahu; E humbëm një mik të madh

Sot FIBA me trishtim të pafund e ka dhënë lajmin për vdekjen e Patrick Baumann, Sekretarit Gjeneral të FIBA-s, njëherësh edhe anëtarit të Bordit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON).

“Baumann papritmas ka pësuar sulm në zemër në Buenos Aires të Argjentinës, ku edhe janë duke u zhvilluar Lojërat Olimpike të të Rinjve. Basketbolli e ka humbur një lider, një mik dhe tani mendimet tona janë me të shoqen e Patrick-ut dhe dy fëmijëve në këtë kohë tragjike për ta", thuhet në ndër të tjera në njoftimin zyrtar të FIBA-s.

Baumann ka qenë në pozitën e Sekretarit Gjeneral të FIBA-s që nga viti 2002, ndërsa ka vdekur në moshën 51 vjeçe.

Bauamnn ka qenë një mik i madh I Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Arben Fetahu, kryetar i FBK-së ka thënë: "Ne emër të Federatës së Basketbollit të Kosovës dëshiroj që të shpreh ngushëllimet tona më të thella për të shoqen e Baumann dhe dy fëmijët, si dhe të gjithë familjen e tij. Mendimet dhe lutjet tona janë me ta, në këto kohë shumë të vështira. Patrick ishte një mik i madh i Federatës së Basketbollit të Kosovës. Ai ka bërë shumë për pranimin e FBK-së në FIBA nëpërmjet këshillave të tij. Baumann ka qenë pika referente dhe njeriu që ka mbajtur kontaktet me Federatën e Basketbollit të Kosovës për më shumë se një dekadë, që nga kontaktet e para pasluftës, deri në anëtarësimin e Kosovës në FIBA, në marsin e vitit 2015.

Nën udhëheqjen e tij FIBA ka bërë hapa të mëdhenj, duke u modernizuar në tërësi si organizatë dhe duke u bërë një model për t'u ndjekur nga Federatat e tjera ndërkombëtare".

Baumann, zviceran i lindur më 5 gusht 1967 ka qenë ish-basketbollist, trajner dhe gjyqtar, ndërsa FIBA-s iu bashkua së pari si avokat në vitin 1994 dhe më pas u pati emëruar si zëvendës Sekretar Gjeneral i FIBA-s më 1995.

Në vitin 2002 në mënyrë unanime ai u pati emëruar si Sekretar Gjeneral i FIBA-s nga Bordi Qendror i FIBA-s. Në fakt ai ka qenë vetëm i treti Sekretar Gjeneral i FIBA-s pas Dr. William Jones dhe Borislav Stankoviq. Baumann zyrtarisht punën e tij si Sekretar Gjeneral në FIBA e ka filluar më 2003, pozitë kjo që e ka mbajtur deri në ditën që vdiq”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat