Berisha: Ekipi nga Danimarka, kundërshtari ynë më i fortë

Basketboll

Berisha: Ekipi nga Danimarka, kundërshtari ynë më i fortë

Nga: Kemajl Goca Më: 19 tetor 2018 Në ora: 17:45
Dardan Berisha në veprim

Z Mobile Prishtina është në formën më të mirë të mundshme dhe pretendon ta kalon grupin E në kualifikimet për FIBA Europe Cup. Përqendrimi kryesor i klubit më të trofeshëm në vendin tonë, është suksesi në garat evropiane.

Fitorja e të mërkurës që e lamë pas me rezultat 92:82 ndaj ekipit ukrainas Cherkaski Mavpy, është sinjal se bardhekaltrit do të jenë kandidat për të kaluar grupin.  Basketbollisti me përvojë, Dardan Berisha, truri i skuadrës, tha se fitorja ndaj ukrainasve ka qenë shumë më rëndësi. “Ka qenë një ndeshje shumë e rëndësishme për neve, ku e filluam me fitore, por ky është një hap i vogël para sfidave që na presin.

Ende s’ka përfunduar kurrgjë, tash po mendojmë për ndeshjet e radhës”, thotë Berisha për gazetën kombëtare “Bota sot”. Në grup janë Bakken Bears nga Danimarka, Cherkaski Mavpy nga Ukraina dhe Steaua nga Rumania, cilët nga këto rivalë janë më të vështirë?

“Besoj që ekipi nga Danimarka është kundërshtari ynë më i fortë”, përgjigjet Berisha. Në javën e ardhshme bardhekaltrit do të luajnë në Bukuresht kundër Steaua-s dhe synojnë të kthehen me fitore, e cila do të jetë edhe një hap i madh drejt dy vendeve të para në grup.  Berisha shprehet se ende nuk e kanë analizuar skuadrën rumune. “Ende nuk e kemi analizuar ekipin rumun, nesër e kemi ndeshjen tjetër kundër Yllit në kuadër të Superligës së Kosovës”.

Pas Bukureshtit, me 30 tetor luani në konak të Bakken Bears nga Danimarka, a do të qartësohen gjërat në tri xhirot e para apo do të vendoset gjithçka në kryeqytet? “Besoj që do të vendoset në fund së kush e kalon grupin”, tha ai. Prishtina nuk ka konkurrencë në Kampionatin e Kosovës, e cila në katërt ndeshjet e para ka po aq fitore dhe vështirë që mund të sfidohet nga ndonjë skuadër.

A mendoni se dobësimi i Trepçës dhe Bashkimit, largimi i Pejës nga liga, ka dobësuar shumë ligën? “Po, por ekipet si Rahoveci e Ylli janë përforcuar dhe sigurt secila ekip do të jetë super e motivuar kur luan kundër neve, kështu që duhet secilën lojë mu përgatitë dhe mu angazhuar maksimalisht për fitore”, përfundoi Berisha, i cili është alfa dhe omega e skuadrës kryeqytetas. Bardhekaltrit synojnë fitoren e pestë kundër Golden Eagle Yllit, pastaj fokusin e kanë për në Bukuresht kundër Steaua-s.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat