Berisha: Bëmë një hap të vogël

Basketboll

Berisha: Bëmë një hap të vogël

Nga: Kemajl Goca Më: 25 tetor 2018 Në ora: 16:48
Dardan Berisha

Klubi më i trofeshëm në vendin tonë, Z Mobile Prishtina, është kthyer sot nga Bukureshti dhe po përgatiten për sfidën e radhës evropiane, që zhvillohet me 30 tetor (18.30) në Danimarkë kundër Bakken Bears.  Prishtina shënoi fitore të madhe me rezultat 87:81 ndaj Steaua-s, duke bërë edhe një hap të madh drejt kualifikimit për në rrethin tjetër në FIBA Europe Cup në basketboll.  

Prishtina së bashku me Bakken Bears kanë nga dy fitore ose me nga 4 pikë janë të parët në grupin E, duke lënë pas Steaua-n dhe ekipin ukrainas Cherkaski Mavpy me nga dy pikë apo me dy humbje. Basketbollisti më i mirë i ekipit Z Mobile Prishtina, Dardan Berisha, me bashkëlojtarë e tij shfaqi lojë jashtëzakonisht të mirë, duke e nënshtruar ekipin rumun. Berisha ka qenë si motor i ekipit, me 23 pikë të shënuara e ka ndihmuar Prishtinën që të kthehet me fitore të madhe.

Z Mobile Prishtina ka qetësinë për sfidat e ardhshme por janë me këmbë në tokë përkundër epërsisë që kanë ndaj Cherkaski Mavpy-t e Steaua-s, sepse deri në fund janë edhe katër ndeshje.

 “Bota sot”: Z Mobile Prishtina shënoi fitore të madhe, a është një hap drejt kualifikimit në rrethin tjetër?

Dardan Berisha: Është një hap të vogël por kurrgjë s’ka përfunduar, e kemi një ndeshje shumë të vështirë në Danimarkë dhe në Lituani. Orari është shume i keq për neve me tre udhëtime rresht dhe shumë të vështira. Por besoj që kemi me dhënë maksimumin edhe me nxjerr rezultate pozitive prej këtyre ndeshjeve.

“Bota sot”:  Ndeshje me kthesa në rezultat, 35 sekonda pa përfunduar takimi barazohet rezultati 81:81, por Prishtina e gjeti forcën për fitoren 81:87. A keni qenë në stres të rezultatit apo besuat në triumf?

Dardan Berisha: Ishim ekip më e mirë se kundërshtari por kishim rënie në disa çaste në koncentrim, sidomos në mbrojtje, çka kundërshtari e shfrytëzonte. Me rëndësi është se në fund fituam dhe tash fokusohemi në ndeshjet e radhës.

“Bota sot”: Si të njëra palë po ashtu edhe te skuadra tjetër u shfaqën disa gabime gjatë ndeshjes, ku ishte dallimi i Prishtinës ndaj Steaua-s?

Dardan Berisha: Jemi ekip më cilësore se kundërshtari dhe me më shumë eksperiencë.

“Bota sot”: Kjo fitore ju jep qetësi për takimin me 30 tetor në Danimarkë kundër Bakken Bears, e cila është edhe derbi. Sa keni mundur ta studioni këtë rival, ku mund të janë ata më të rrezikshëm?

Dardan Berisha: Dje ka përfunduar ndeshja në Rumani e sot kemi ardhur në Kosovë, nuk kemi analizuar ende kurrgjë për ndeshjen në Danimarkë.

“Bota sot”: Çfarë i mungon apo çka i duhet Z Mobile Prishtinës për vazhdimësi të garave evropiane?

Dardan Berisha: Na duhet pak më shumë kohë për t’u komponuar më mirë mes veti lojtarët dhe trajneri me filozofinë e re. Besoj që kemi shumë hapësirë për përmirësime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat