Warriors të pa konkurrencë

Basketboll

Warriors të pa konkurrencë

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 11:34
Warriors

Kampionët e NBA vazhdojnë të mposhtin çdo kundërshtar që u del përpara.

Vijon forma fantastike e Golden State Warriors në NBA. Kampionët në fuqi regjistruan triumfin e tetë radhazi dhe të dhjetin këtë sezon.

Ata fituan pa shumë vështirësi në Oracle Arena, ndaj Memphis Grizzlies me rezultatin 117-101.

Klay Thomspon ishte më i miri te Warriors me 27 pikë ndërsa edhe dy yjet e tjerë të Golden State, Kevin Durant dhe Steph Curry dhanë kontribut pasi realizuan 22 përkatësisht 19 pikë.

Rikthimi i Russell Westbrook nga lëndimi e ka kthyer në rrugë të mbarë Oklahoma City Thunder që regjistron pesë fitore rresht.

Viktima e radhës për skuadrën e trajnerit Billy Donovan ishte New Orleans Pelicans që e mposhti me rezultat 122-116. Skuadra nga Louisiana është në krizë totale pasi pësoi disfatën e gjashtë rresht, ndërkohë që në këtë sukses të Oklahomës një meritë të madhe e kishte dyshja Paul George-Denis Schroder pasi të dy së bashku koleksionuan 48 pikë.

Vazhdon të shkëlqejë në këtë sezon Denver Nuggets. Pesë fitore radhazi dhe nëntë në 10 ndeshjet e para për skuadrën nga Colorado.

Denver përmbysi disavantazhin prej 15 pikësh të periudhës së parë duke triumfuar në fund me rezultatin 115-107 ndaj skuadrës më të titulluar të NBA, Boston Celtics. Shkëlqeu në këtë takim Jamal Murray autori i 48 pikëve për Nuggets në këtë sfidë.

Formë e mirë edhe për Toronto Raptors që vazhdon të fitojë. Këtë herë ekipi kanadez triumfoi në udhëtim te Utah Jazz s me rezultatin 124-111 për meritë të lojës në grup, pasi plotë 6 basketbollistë të Torontos shënuan pikë dyshifrore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat