Të gjithë së bashku për të parandaluar dukuritë negative në basketboll

Basketboll

Të gjithë së bashku për të parandaluar dukuritë negative në basketboll

Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 15:07
Të gjithë së bashku për të parandaluar dukuritë negative në basketboll

Në zyre të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) është mbajtur takimi në mes anëtarëve të Këshillit Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, zyrtarëve të FBK-së dhe klubeve të Superligës së Kosovës. Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe kryetari i Këshillit Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, Besim Kelmendi, njëherësh edhe Prokuror, para përfaqësuesve të klubeve të Superligës së Kosovës folën për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të gjitha palëve të përfshira në këtë proces për identifikimin e problemeve qysh më herët, në mënyrë që të parandalohen dhe të evitohen dukuritë negative në sport, në këtë rast në basketboll, të cilado natyre qofshin ato.

Prokurori, Besim Kelmendi kërkoi nga klubet që të identifikojnë ndeshjet të cilat ata i vlerësojnë si të rrezikshmërisë së lartë dhe kështu në bashkëpunim me FBK-në, Këshillim Kombëtar, Policinë e Kosovës, dhe me akterët e tjerë të sigurisë të përgatiten sa më mirë në mënyrë që në ndeshje të tilla të mos ketë probleme dhe të mos shfaqen dukuri që kanë rastisur të shihen në disa ndeshje të shtatë xhirove të para të zhvilluara në Superligë.

Prokurori Kelmendi po ashtu ka bërë të ditur se tashmë në FBK e ka dërguar një rekomandim, i cili duhet të implementohet nga klubet e saj e ai është që të mos lejohet qasja në fushën e lojës për asnjë zyrtar apo person tjetër pa akreditim.

Sipas Prokurorit Kelmendi ky rekomandim bëhet pas njoftimeve që Këshilli ka marr nga burime të ndryshme lidhur më futjen në fushën e lojës të personave të pa akredituar, andaj më qëllim të parandalimit të çfarëdo rreziku për mbarëvajtjen normale të lojës dhe rrezikut për sigurinë e njerëzve që marrin pjesë në këto ngjarje sportive. Ai po ashtu ka shtuar se nëse FBK do të ketë problem  në zbatimin e këtij rekomandimi, do të jetë Këshilli Kombëtar ai i cili do të merr masat e nevojshme ligjore.

Krahas këtij rekomandimi Këshilli Kombëtar, i cili ka tre muaj që është duke funksionuar  ka bërë të ditur se në një të ardhme të afërt do të organizoj takime edhe me tifozë të secilit ekip, si dhe me gjyqtarët dhe vëzhguesit e FBK-së.

Sipas Prokurorit Kelmendi arsyeja e këtyre takimeve është mbarëvajtja sa më e mirë dhe me organizim të nivelit sa më të lartë në mënyrë që tu mundësohet familjarëve, djemve, vajzave të reja, të shikojnë basketboll në një atmosferë sportive.

Prokurori Kelmendi njoftoi të pranishmit në këtë takim se përveç bashkëpunimit në organizimin e ndeshjeve që vlerësohen si të rrezikshmërisë së lartë, Këshilli Kombëtar është i hapur edhe për bashkëpunimin në elimiminin e një tjetër dukurie negative në sport, e që janë bastet dhe sipas tij nëse klubet e Superligës hasin në telashe me diçka të tillë duhet të njoftojnë Këshillin Kombëtar dhe më pas Këshilli do të procedojë tutje.

Në anën tjetër zyrtarët e klubeve të Superligës së Kosovës e njoftuan Këshillin Kombëtar për telashet të cilat i kanë, e të cilat kanë të bëjnë kryesisht me angazhimin e Policisë Sekondare, e cila është me pagesë, si dhe me angazhimin e sigurimit privat, që gjithashtu është me pagesë, dhe se për shkak të gjendjes së rëndë financiare të klubeve në disa raste është e pamundur të sigurohen Policia Sekondare, apo edhe sigurimi privat.

Njëherësh zyrtarët e ekipeve të Superligës u zotuan se do të bashkëpunojnë ngushtë me Këshillin Kombëtar dhe me FBK-në në mënyrë që ndeshjet e basketbollit të kenë mbarëvajtjen e duhur.

Krejt në fund kryetari i FBK-së, Fetahu tha se institucioni që ai e drejton do të merr parasysh të gjitha rekomandimet e Këshillit Kombëtar dhe ato që do të jenë të nevojshme që nga muaji janar do të shohin mundësinë që të gjejnë vend në Rregulloren e Garave të FBK-së.

Duhet theksuar se në këtë takim të pranishëm ishin nga FBK edhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku, Komesari i Garave, Faton Kurshumlija, dhe anëtari i Bordit, Leart Hoxha.

Në anën tjetër Këshilli Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive u përfaqësua nga kryetari, Besim Kelmendi, pastaj Besim Hasani, anëtar, Feim Hoxha, anëtar dhe Daut Thaqi, anëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat