Ylli i skuadrës nga Teksas pati një paraqitje fantastike.
Me James Harden në formë, Houston Rockets i kthehen fitoreve.
40 pikë, 9 asistime dhe 7 kërcime nga Harden i dhanë mundësinë skuadrës nga Teksas të rikthehej tek fitorja pas dy humbjeve të fundit duke e mposhtur Indiana Pacers 115-103.
Kontribut të madh në fitoren e Rockets dha edhe Chris Paul me 26 pikë, ndërsa për Pacers ishin shumë pak 22 pikët dhe 10 kërcime nga Victor Oladipo.
LeBron James ishte protagonist për ekipin e tij, në fitoren e ngushtë 107-106 të Los Angeles Lakers ndaj Atlanta Hawks.
“Mbreti” e mbylli takimin e zhvilluar në “Staples Center” me 26 pikë në total, shënoi koshin e fundit, që i dha suksesin ekipit kalifornian 15 sekonda para fundit.
Pas humbjes në sekondën e fundit ndaj Clippers, Milwaukee Bucks e morën menjëherë veten, duke fituar 121-114 në fushën e Denver Nuggets.
Paraqitje mjaft e mirë e Brook Lopez, i cili realizoi 28 pikë. E gjithë pesëshja startuese e parë e Bucks arriti shifra të dyfishta, ndërsa për Nuggets nuk mjaftuan 25 pikët e Paul Milsap dhe 20 të Nikola Jokiq.
Vjen fitorja e tretë radhazi dhe vendi i dytë në Konferencën e Perëndimit për Portland Trail Blazers, që iu imponuan 100-94 Boston Celtics.
Më i miri mbi parket rezultoi Jayson Tatum me 27 pikë, por që nuk rezultuan të mjaftueshme për të shmangur humbjen e gjashtë të Bostonit.