Marigona senzacionale, thyen rekordin me 116 pikë për një ndeshje!

Basketboll

Marigona senzacionale, thyen rekordin me 116 pikë për një ndeshje!

Nga: Kemajl Goca Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 19:14
Marigona Rushiti

Ish basketbollisti Granit Rugova nuk e mban më rekordin e 110 pikëve, por rekordin e tij e ka thyer basketbollistja e Prishtinës, Marigona Rushiti. Marigona shënoi 116 pikë për fitoren e Prishtinës me rezultat 126:31 kundër Vushtrrisë. Senzacion, sidomos nga një vajzë si Marigona që ka shënuar 116 pikë për 40 minuta, në fakt ka thyer të gjitha rekordet në basketbollin tonë.

Madje edhe në faqen e Federatës së Basketbollit të Kosovës, është vlerësuar ky rekord, ku shkruajnë mes të tjerash: “Në këtë mënyrë basketbollistja bardhekaltër ia ka thyer rekordin Granit Rugovës, ish-basketbollistit të Prishtinës dhe të Përfaqësueses së Kosovës, tani Drejtor i Përfaqësueseve në Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Rugova me fanellën bardhekaltër në duel me Mitrovicën në vitin 2009 i pati shënuar 110 pikë”. Marigona nuk është euforike, është me këmbë në tokë, por synimet e saja janë që me Prishtinën të luftojnë për trofe.  Basketbollistja 24-vjeçare, që luan në pozitën alo qendër, premton paraqitje edhe më të mira. Ajo nuk i merr të gjitha meritat për vete për realizimin e 116 pikëve, por sipas saj bashkëpunimi me bashkëlojtaret e saja ka arritur në këtë nivel pikësh për një ndeshje. 

“Bota sot”: Shënuat 116 pikë kundër Vushtrrisë, e keni thyer rekordin edhe të ish basketbollistit Granit Rugovës, a ishte ndeshja më e mirë në karrierën tuaj?

Marigona Rushiti: Nuk mendoj që ka qenë ndeshja ime më e mirë, mirëpo që do të mbetet kujtim i mirë gjatë gjithë karrierës sime ky rekord i vendosur.

Image

“Bota sot”: Sa ishte e vështirë të shënosh 116 pikë për 40 minuta, çka të karakterizoi?

Marigona Rushiti: Nuk ishte shumë e vështirë duke pasur parasysh edhe bashkëpunimin e lojtareve tjera në fushë, ngase edhe ato kontribuan në këto pikë që unë i arrita. Ndoshta me karakterizoi preciziteti dhe shpejtësia.    

“Bota sot”: A mund të kemi basketbolliste tjera në vendin tonë që në një të ardhmen mund ta thyejnë rekordin tuaj?

Marigona Rushiti: Nuk e di ç'të them saj përket kësaj pyetje, vetëm di të them që ndoshta ky rekord i vendosur nga unë do të jetë një motiv për lojtare tjera, sidomos për gjeneratat e reja.   

“Bota sot”: Prishtina ka katër fitore e dy humbje, renditet në vendin e tretë me 10 pikë, katër me pak se kampionet në fuqi Bashkimi, a janë rezultate të pritura?

Marigona Rushiti: Edhe pse kemi qenë vetëm me lojtare vendore, pa përforcime mendoj që nuk kemi edhe shumë diferencë, mirëpo problemi ynë tek humbjet ka qenë mos koordinimi jonë dhe mos përgatitja fizike aq sa duhet, ku edhe na shkaktuan dy humbjet. Mirëpo tash na mbetet të punojmë maksimalisht për sezonin tjetër.    

“Bota sot”: Cilat ekipe i sheh në garë për titull?

Marigona Rushiti: Është herët për t’u thënë diçka definitive, mirëpo pretendente për titull mendoj çdo herë ne dhe ekipi i Penzës, për shkak që e kanë një ekip më të pjekur dhe me përvojë duke mos anashkaluar edhe Bashkimin.  

“Bota sot”: A është Bashkimi rivalja më e madhe e Prishtinës?

Marigona Rushiti: Nuk mund të them që Bashkimi është rivali ynë kryesorë ngase jemi tri ekipe që luftojmë për titull.

Image

“Bota sot”:  Çfarë synon Prishtina?

Marigona Rushiti: Si çdo vit edhe për sezonin tjetër synimi ynë do të jetë Kupa e Kosovës dhe titullin e kampionit.

“Bota sot”: Çka i mungon basketbollit femëror?

Marigona Rushiti: Basketbollit femëror çdo herë i ka munguar mbështetja financiare ashtu edhe mungesa e shikueshmërisë, sidomos në ndeshje të rëndësishme ku vërehet shumë ajo zbrazëti e tifozëve në sallë. Gjithashtu lënia anash e ekipeve femërore dhe koncentrimi vetëm tek meshkujt pastaj Përfaqësuesja A e femrave gjë që na penalizon të vazhdojmë me tutje ne si lojtare profesioniste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat