Warriors i kthehen fitoreve në NBA

Basketboll

Warriors i kthehen fitoreve në NBA

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 11:20
Golden State Warriors

Në mesnatën e së martës dhe mërkurës me kohën tonë, në NBA, u zhvilluan vetëm tri ndeshje, ku vëmendje tërhoqi rikthimi i shpejtë te fitorja i kampionëve në fuqi të Golden State Warriors.

Edhe pa dy nga lojtarët më të mirë të ekipit, Stephen Curry që është i lënduar dhe Draymond Green i suspenduar nga klubi për shkak të një zënke që pati me Kevin Durant në sfidën ndaj Clippers, skuadra e trajnerit Steve Kerr arriti të mposhte në Oracle Arena me shifrat 110-103 Atlanta Hawks.

Kevin Durant me 29 pikë dhe Klay Thompson me 24 ishin dy liderët e skuadrës nga Oakland.

Pas fillimit fantastik të sezonit që bëri Denver Nugetts, tashmë nuk kanë të ndalur rezultatet negative.

Skuadra nga Kolorado pësoi humbjen e katërt radhazi pasi u mund brenda në Pepsi Center nga Houston Rockets me rezultatin 99-109.

Në krahun tjetër Rockets janë duke e kaluar atë periudhën e keqe dhe kanë filluar të këndellen.

Clint Capela me 24 pikë, James Harden 22 pikë e 11 asistime dhe Chris Paul me 21 pikë shkëlqyen në fitoren e gjashtë sezonale të Rockets.

Pas pesë humbjesh rresht mund të buzëqeshë edhe Cleveland Cavaliers. Skuadra nga Ohio mposhti lehtësisht në shtëpi me rezultatin 113-89 Charlotte Hornets, në një ndeshje ku nuk kishte në dispozicion as dy lojtarët kryesorë të ekipit Kevin Love dhe Kyle Korver.

Më i miri mbi parket në fitoren e dytë sezonale të Cavaliers ishte Jordan Clarkson me 24 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat