Mulaomeroviq flet për atmosferën në kombëtaren e Kosovës

Basketboll

Mulaomeroviq flet për atmosferën në kombëtaren e Kosovës

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 12:36
Mulaomeroviq flet për atmosferën në kombëtaren e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës më 29 nëntor do të përballet me Rumaninë në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Eurobasket 2021.

Të dielën kombëtarja e Kosovës i ka zhvilluar seancat e para stërvitore ndonëse jo e kompletuar, pasi që ende është në pritje të basketbollistëve që luajnë jashtë vendit për t’u bashkuar me ekipin.

Sidoqoftë përzgjedhësi i Kosovës, Damir Mulaomeroviq dhe kapiteni Dardan Berisha janë shprehur optimist për dy ndeshjet e radhës, falë edhe atmosferës shumë të mirë që është duke mbretëruar në skuadër, por edhe formës së mirë të lojtarëve.

“Atmosfera në ekip shumë është e mirë, por meqë nuk kanë mbërri të gjithë lojtarët, fillimisht në dispozicion i kam nëntë lojtarë dhe e kam të pamundshme të punoj në taktikë. Po ashtu kemi probleme me basketbollistët amerikanë, që janë të natyralizuar. Do të shohim se si shkojnë punët me ta, por këta lojtarë që janë këtu janë mirë me kondicion dhe me disponim dhe nëse vazhdohet kështu, jam i sigurt që mund të bëjmë punë të mirë”, tha Mulaomeroviq.

Dardan Berisha, kapiten, tha: “Kemi filluar me përgatitje, ndërsa që po presim të na bashkohen edhe basketbollistët tjerë. Atmosfera është shumë e mirë. Sigurisht që të gjithë do ta japim maksimumin tonë dhe shpresojmë të paraqitemi sa më mirë në këto ndeshje shumë të rëndësishme”.

Lajmi i keq për Kosovën është lëndimi i plejmejkerit amerikan Malcolm Amstad, paraqitja e të cilit është në dyshim, pasi që amerikani i natyralizuar së fundi është lënduar në fundjavë në ndeshjen e ekipit të tij, Büyükçekmece në kuadër të Superligës së Turqisë.

Duhet theksuar se Kosova më 29 nëntor do të përballet me Rumaninë në qytetin Oradea, kurse më 2 dhjetor në Gjevgjeli do të ballafaqohet me Maqedoninë.

Kosova më 13 shtator në shtëpi të vet është mposhtur nga Maqedonia me rezultat 76:73, derisa kjo e fundit ka triumfuar edhe ndaj Rumanisë me shifrat 90:76 dhe kështu i prin Grupit B.

Kosova në ndeshjen e fundit në kuadër të kësaj faze parakualifikuese do të përballet me Rumaninë në Prishtinë më 24 shkurt 2019.

Fituesi i këtij grupi do të kualifikohet në kualifikime për Eurobasket 2021 që do të fillojnë në nëntor të vitit të ardhshëm, kurse dy kombëtaret e tjera e kanë edhe një shans tjetër për t'u kualifikuar, por nëpërmjet një raundi shtesë që do të luhet në gusht të vitit 2019.

Lista e Kosova A:

1. Dardan Berisha (kapiten)/KB Z Mobile Prishtina 
2. Fisnik Rugova/KB Z Mobile Prishtina 
3. Lis Shoshi/BC Maccabi Ashdod (Izrael) 
4. Gëzim Morina/KK Sencur GDD (Slloveni) 
5. Meriton Ismaili/KB Z Mobile Prishtina 
6. Ergin Grosha/ KB Bashkimi 
7. Leonard Mekaj/KB Golden Eagle Ylli 
8. Valon Bunjaku/KB Z Mobile Prishtina 
9. Andi Shehu/ KK Leone Ajdovscina (Slloveni) 
10. Rron Ukaj/KB Rahoveci 
11. Altin Morina/KB Z Mobile Prishtina 
12. Mikaile Tmusic/KB Z Mobile Prishtina 
13. Muhamedali Janjeva/KB Feronikeli 
14. Malcolm Armstead/BC Büyükçekmece (Turqi)

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat