FIBA i beson Kosovës

Basketboll

FIBA i beson Kosovës

Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 10:43
Pamje nga një ndeshje

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) e ka fituar të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian U20, Divizioni B në konkurrencën e femrave.

Kampionati do të mbahet prej 3 deri më 11 gusht të vitit 2019 në Prishtinë.

Këtë vendim e ka marr Bordi i FIBA Evropës sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur në Munich.

Shtetet pjesëmarrëse në këtë Kampionat do të jenë: Kosova, Islanda, Kroacia, Izareli, Ukraina, Irlanda, Britania e Madhe, Danimarka, Turqia, Rumania, Finlanda, Greqia dhe Bullgaria.

Për FBK-në, por edhe për vet Kosovën dhe sportin kosovar në përgjithësi, dhe në veçanti sportin femëror, kjo është një e arritur e madhe.

Federata e Basketbollit të Kosovës këtë vit ishte organizatore e FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C, në të cilin Përfaqësuesja jonë triumfoi në mesin e nëntë shteteve duke u shpallur kampione dhe duke avancuar një Divizion më lartë, pra në atë B që nga viti 2019.

Gjatë FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C që është organizuar në Prishtinë në vizitë ishte edhe Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak, i cili ishte shumë i kënaqur me organizimin e eventit, derisa në kryeqytet për dhjetë ditë të Kampionatit ka qëndruar Radmila Turner, përgjegjëse e Federatave Nacionale në FIBA Evropë, e cila e ka mbikëqyr Kampionatin dhe krejt në fund ka dorëzuar raport pozitiv për Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme, FBK:

“Organizimi i shkëlqyeshëm i FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C në verën që e lamë pas, si dhe puna e madhe që FBK po e bën me gjenerata të reja, si dhe interesimi ynë për të avancuar basketbollin femëror ka bërë që Bordi i FIBA Evropës sot të aprovojë kandidaturën e Kosovës.

Ne kemi pasur argumente të mjaftueshme në kandidaturën tonë se jemi shumë të interesuar për ta ngritur cilësinë në basketbollin femëror, duke dëshmuar punën që po e bëjmë me gjeneratën U14 dhe U15 në projektin e FIBA Evropës për Zhvillim të Gjeneratave të Reja, si dhe me fitimin e projektit të ri të vajzave, ku do të punojmë në masovizimin e këtij sporti ndër vajza të reja të moshës 6 deri në 15 vjeç.

Sigurisht se për ne është nder organizimi i një Kampionati të nivelit të tillë, por në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi e madhe.

Normalisht se këtu presim mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, më saktësisht, Ministrisë së Sportit, si dhe të Komunës së Prishtinës, por edhe të sponsorëve të ndryshëm.

Ne jemi shumë të emocionuar që vitin e ardhshëm do t’ju sjellim adhuruesve të basketbollit kosovar një Kampionat Evropian në konkurrencën e femrave dhe në të njëjtën kohë premtojmë se do të punojmë që gjithçka sa i përket organizimit të shkoj në mënyrën më të mirë të duhur”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat