Teuta turpërohet në Bullgari

Basketboll

Teuta turpërohet në Bullgari

Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 19:44
Teuta turpërohet në Bullgari

Skuadra e Teutës në basketboll për meshkuj u mund 108-65 nga BC Beroe në ndeshjen e vlefshme për Ligën Ballkanike (BIBL), sfidë e luajtur sot pasdite në Stara Zagora, Bullgari. Një ndeshje e dominuar dhe fituar me meritë nga skuadra bullgare, e pamposhtur në këtë turne, duke korrur suksesin e pestë dhe udhëheq renditjen provizore. Ndërsa për durrsakët kjo është humbja e dytë radhazi (Teuta ka edhe 3 fitore), duke ndërlikuar disi pozitat në renditje.

BC Beroe – Teuta, 108-65 (32-19, 26-17, 28-13, 22-16)

Takimi u dominua që në periodën e parë nga skuadra bullgare, që falë një loje më të mirë sulmuese arrin të shkëputet 32-19 në 10-minutëshin e parë, duke hipotekuar shumë shpejt fitoren. Situata nuk ndryshon as në minutat në vazhdim, me Bero që ka komandën e lojës, duke thelluar shifrat edhe më shumë me kalimin e minutave. Pjesa e parë mbyllet 58-36 për bullgarët, që shuan shpresat e Teutës për fitore.

Teuta: Hysenagolli (18), Gorea (4), Wilson (12), Miranovic, Copes (16), Lasku (5), Shestani (3), Beqo, Hamati (7), Hoxha, Troja, Llela. Trajner: M.Baletic

Muzika nuk ndryshon as në çerekun e tretë, me vendasit që e kthejnë ndeshjen në një stërvitore, duke u shkëputur 86-49 pas përfundimit të periodës së tretë. Ndërkohë që edhe minutat e fundit janë një formalitet në fushë për vendasit, që prekin edhe kuotën e 100 pikëve të realizuara, duke fituar krejt ndeshjen 108-65. Pas 48 orësh, Teuta do të luajë sërish në Bullgari ndeshjen e radhës në Ligën Ballkanike, atë ndaj Academix Bultex.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat