Dereck Chisora për shqiptarin: Nëse vjen të luftojë do të luftojmë

Boksi

Dereck Chisora për shqiptarin: Nëse vjen të luftojë do të luftojmë

Më: 18 prill 2019 Në ora: 15:03
Dereck Chisora për shqiptarin: Nëse vjen të luftojë do të luftojmë

Boksieri shqiptar nga Kosova, Senad Gashi, ka folur në konferencën për shtyp para duelit të tij të madh, ndaj boksierit britanik Dereck Chisora.

Është mbajtur konferenca e fundit para duelit të së shtunës, i cili do të jetë më i madhi në karrierën e Gashit, raporton Insporti. Gashi për herë të parë para një audience botërore u shfaq vitin e kaluar në Londër, ku u mund nga Carlos Takam. Ai fillimisht kishte humbur me diskualifikim nga Tom Schwarz në Gjermani dhe më pas u mund edhe nga Carlos Takam në Angli.

Dueli ndaj Chisoras, që do të zhvillohet në ‘O2 Arena’, do të jetë meçi i tij i dytë i madh dhe mund të cilësohet si meçi i karrierës. Gashi tani duhet që të mundë Dereck Chisoran, nëse dëshiron të mbetet në “listën A”, të boksierëve në Evropë.

Gashi, 28-vjeçar, ka 17 fitore dhe 2 humbje në karrierë, kurse 35-vjeçari Chisora ka 29 fitore dhe 9 humbje.

“Fillimisht faleminderit për ftesën që mund të jem në Angli, faleimnderit Eddie Hearnit dhe Match Room Boxing”, tha Gashi . “Duhet të shfrytëzoja mundësinë të boksoj në Londër, ndaj njërit prej më të mirëve në botë”, tha Gashi.

I pyetur se a mendon se mund të fitojë ndaj Chisoras, boksieri shqiptar u shpreh tejet optimist.

“Mendoj se do të fitoj ndaj Dereck Chisoras dhe mezi po pres meçin, në mendjen time 10 herë jam ndeshur me Chisoran – 9 herë kam fituar, 1 herë kam humbur”, tha Gashi, duke i bërë të gjithë të shpërthenin në të qeshura.

Gashi tutje premtoi se do të bëjë luftë të mirë.

“Do të bëj luftë të mirë, do të jap më të mirën dhe njerëzit me siguri do ta shijojnë”, tha Gashi.

Deklaratave të shqiptarit iu përgjigj Chisora, që tha se nëse Gashi dëshiron luftë, ashtu do të ndodhë.

“Jam i motivuar, dua të luftoj, më pëlqen lufta, nëse vjen të luftojë do të luftojmë, nuk më pengon. Çfarë që ai dëshiron që të bëjmë, do ta bëjmë”, tha Dereck Chisora.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat