Boksieri profesionist mitrovicas Adrian Maliqi për duelin e ardhshëm po përgatitet në Kosovë në seanca me klube të ndryshme të boksit

Boksi

Boksieri profesionist mitrovicas Adrian Maliqi për duelin e ardhshëm po përgatitet në Kosovë në seanca me klube të ndryshme të boksit

Nga: Fatmir Beka Më: 14 gusht 2019 Në ora: 21:41
Adrian Maliqi

Boksieri me prejardhje nga Mitrovica Adrian Maliqi - Raatz, që aktualisht jeton në Ausburg të Gjermanisë, që ka perspektivë të sigurt dhe të cilin shumë shpejtë mund ta shohim në garë për ndonjë nga brezat në versionet e ndryshme të asociacioneve të boksit profesionist, aktualisht ndodhet më familje në vendlindje në qytetin buzë Ibrit.

Adriani I shoqëruar nga prindi Nexhati (që nuk i ndahet në stërvitje) e ka bërë tashmë traditë që para secilit duel me rëndësi në karrierë të vij dhe një pjesë të përgatitjes ta kryej shumë i motivuar në vendlindje, para duelit që e pret në shtator dhe secilën ditë takon dhe stërvit me kolegë të klubeve të ndryshme në vendin tonë.

Kështu përderisa dje i shoqëruar edhe nga trajneri i vetë personal Sefedin Braha- trajneri i mirënjohur mitrovicas i boksit, kanë qenë në KB “Prishtina” ku ka kryer një seancë stërvitore, sot ka stërvitur së bashku me boksierët e KB Trepça.

 Adriani përndryshe ka vazhduar seritë e sukseseve të sportistëve me prejardhje mitrovicase, , prindi i të cilit është nga Zhabari i Mitrovicës (Nexhat Maliqi), ai po ec sigurtë në boksin profesionist ku deri tani ka zhvilluar 15 duele profesioniste dhe ka shënuar fitoren e 14-të radhazi.

Duelin e fundit në ringun profesionist Adrian Maliqi e kishte me 1 qershor, kur mitrovicasi Adrian Maliqi Raatz u takua me boksierin serb të  Bosnjës Sllavisha Simeunoviq, ku fal përgatitjes fizike, qëndrueshmërisë dhe goditjeve të forta ia doli të mund serbin shumë me më përvojë.

Maliqi ka shënuar fitore me vendimin unanim të gjyqtarëve, tek të cilët ka grumbulluar pikë të mjaftueshme për të arritur fitoren numër 14 nga 15 duelet profesioniste që ka zhvilluar deri më tani.

Ky duel ishte pjesë e CPI Fight Night në Donauëörth, ndërkohë që duhet theksuar se boksieri serb kishte zhvilluar deri tani 33 duele, dy herë më shumë se Adriani, por vendosi guximi, mençuria në veprim dhe përgatitja e boksierit nga Mitrovica.

Por ky nuk është serbi i vetëm që ka provuar “grushtet” e boksierit mitrovicas, pasi në vitin që shkoi Adriani ka mundur tre serb tjerë në duele, duke u bërë kështu “ specialist” për rrahje të boksierëve serb.

Për këtë duel Adriani ishte përgatitur mirë nga stafi i trajnerëve , nga i mirënjohuri po ashtu mitrovicas trajneri Sefedin Braha, por edhe trajneri tjetër Sigmund Thebert, ndërkohë që ka mbështetjen e plotë nga familja dhe prindi i tij Nexhat Maliqit.

Pas këtij dueli Adriani që njihet si boksier shumë modest, ka falënderuar trajnerët dhe familjen për mbështetje sikurse edhe sponsorët që  e kanë ndihmuar gjatë stërvitjes dhe punës s vazhdueshme në boksin profesionist, mbi të gjitha ekipin “Edelstahlkamine” dhe sponsorët “Dachbau Murati ".

Adriani po qëndron në Kosovë në përgatitje për duelin që e pret me 7 shtator, me shpresën se pas këtij dueli do të hyj në garën direkt për ndonjë nga tituj vakant në kategorinë e mesme, ku ai bokson.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat