Ky është sportisti shqiptar që synon titullin e kampionit në ‘UFC’

Boksi

Ky është sportisti shqiptar që synon titullin e kampionit në ‘UFC’

Më: 15 tetor 2019 Në ora: 20:10
Erion Zekthi

Në konkurrimet e arteve të përziera marciale një interes të veçantë ka tërhequr këtë vit pretendenti më i fortë në peshat e lehta nga Saint Luis i Mizurit.

Ky konkurrent, i njohur me nofkën The Albanian One – Shqiptari, është 26-vjeçari Erion Zekthi, i lindur në Tiranë por i vendosur me familjen në Mizuri që në muajt e parë të jetës.

Erioni thotë se ka gjetur tek artet marciale një burim force fizike dhe shpirtërore dhe shpreson që brenda pak muajsh të ftohet si konkurrent në UFC, Kampionati i Luftimit Suprem. Ai bisedoi me kolegen Ardita Dunellari mbi rrugëtimin e tij deri në këtë pikë dhe çfarë pret në të ardhmen.

Erion Zekthi prej tre vjetësh konkurron në artet e përziera marciale si sportist profesionist. Në kafazin e ndeshjes, siç njihet ringu i arteve marciale, ai dallon si një konkurrent i kompletuar:

“Unë mund të bëj të gjitha: mund të bëj me grushta, mund të bëj me mundje, ju jitsu, kam kickboks, boks”.

Diçka tjetër që e dallon nga konkurrentët e tjerë: në këtë sport ai njihet për prejardhjen shqiptare. Në fakt ai prezantohet në ring me emrin “The Albanian One — “Shqiptari”, që iu ngjit gjatë viteve të stërvitjes e konkurrimit:

Ai tregon se epiteti që i vunë ishte thjesht një nevojë e trajnerëve e organizatorëve të ndeshjeve, të cilët nuk arrinin t’ia shqiptonin dot emrin, prandaj kur donin t’i drejtoheshin thjesht i thërrisnin: “Ti, shqiptar, hajde këtu… Shqiptar, shko atje”. Tani, pas sukseseve në ndeshje, të gjithë flasin për “Shqiptarin,” thotë ai.

Lidhja me artet marciale ishte sa rastësi, aq edhe nevojë për Erionin. Ai tregon se fillimet si konkurrent i ka me mundjen që në shkollë të mesme. Por Erioni nuk arriti ta vazhdonte këtë sport pasi nuk kishte skuadër mundjeje në universitetin ku filloi studimet e larta.

Por kur ishte 19 vjeç, e ëma u nda nga jeta pas një beteje të gjatë me kancerin. Ai flet për një periudhë të vështirë emocionale që i ra në sy edhe shokëve. Në fakt një shok e ftoi të fillonte stërvitjen me të në artet marciale, për të hequr mendjen nga situata e vështirë që kishte kaluar. Sapo shkela në palestër, tregon Erioni, u dashurova pas arteve marciale.

I diplomuar në financë dhe i punësuar si konsulent në një kompani në Saint Luis, ai thotë se konkurrimi si sportist i ofron diçka që nuk e gjen askund tjetër:

“Ndeshja më ofron paqe. Kur jam në kafazin e ndeshjes nuk mendoj për asgjë. Për këto 15 minuta e vetmja gjë që kam në mendje, është konkurrenti që kam përballë.”

Erioni pohon se sporti që bën ka tërhequr një imazh të keq pas vetes: një betejë fizike, e egër dhe e rrezikshme që tradicionalisht është përqafuar nga individë me tendenca agresive dhe me të kaluar problematike.

“Unë nuk jam ashtu,” thotë ai, duke kujtuar faktin që ka ndjekur studimet e larta, punon në profesionin e tij si analist në financë dhe sportin e bën si diçka që e plotëson dhe jo si i vetmi element në jetë.

“Unë luftoj jo se duhet që të luftoj, unë luftoj se kam qejf me luftu”.

Qejf, pa dyshim, por më shumë se aq, ai ka edhe një ambicje të madhe:

Ai shpreson që së shpejti të marrë ftesën për të konkurruar në UFC, Kampionati i Luftimit Suprem. Dhe jo vetëm aq, ai thotë se synimi përfundimtar është të bëhet kampion në UFC.

Ai beson se ndeshja e ardhshme në dhjetor do ta sjellë një hap më pranë ëndrrës që ka.

“Kush fiton (këtë ndeshje), do të marrë telefonatën nga UFC”.

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse konkurrimet në UFC do ta detyrojnë të ndalë punën, ai thotë se është në gjendje t’i bëjë të gjitha, falë disiplinës.

“Po e deshe një gjë, ti mund t’i bësh të gjitha,” thotë Erioni. “Unë mund të shkoj në punë, kam kohë për familjen…. Nuk kam kohë me shku jashtë me pi, me shku në film, por për punën, për stërvitjen, për të tjerat kam kohë”.

Ai vlerëson për etikën dhe përkushtimin, kulturën e punës që ka marrë nga familja:

“Jam rritur me frymën që të jem i fortë. Nuk është se ma mësuan, thjesht e mora nga mënyra si më rritën. Jo thjesht fizikisht, por edhe psikologjikisht. ‘Ke probleme me mësimet? Puno më shumë! Ke vështirësi me stërvitjen? Duro! Mos u anko!’,” kujton Erioni.

Ai thotë se ky mentalitet i bën sportistët ballkanas konkurrentë të fortë në sporte të rënda si artet marciale.

“Ne jemi popuj që kemi kaluar konflikte. Për mirë a për keq, lufta i bën njerëzit të fortë”. We’re a people of conflict. That’s for better or worse. The strife of men creates strong people.

Erioni shpreson që shqiptarët do ta ndjekin karrierën e tij, por ai shton se konkurron për të arritur pikësynimet e veta dhe jo për të përfaqësuar një komb të tërë në ndeshje. Por “nëse fitorja ime u sjell krenari shqiptarëve, do të ishte krenari edhe për mua,” thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat