Bogujevci dhe Demolli ankohen: Nuk kemi mjete për turneun ‘Adem Jashari’

Boksi

Bogujevci dhe Demolli ankohen: Nuk kemi mjete për turneun ‘Adem Jashari’

Nga: Kemajl Goca Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 16:53
Bogujevci dhe Demolli ankohen: Nuk kemi mjete për turneun ‘Adem Jashari’, foto Shpend Ahmeti

Edhe pak ditë na ndajnë nga turneu i 21-të ndërkombëtar “Adem Jashari” në boks, që do të mbahet në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë.

Përgatitjet po shkojnë sipas dinamikës së paraparë për turneun, por sipas organizatorëve halli i vetëm janë sigurimi i mjeteve financiare.  

Gjysmëfinalet e turneut do të mbahen me 16 nëntor (në orën 17.00), kurse më 17 nëntor (12.00) edhe finalet. Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Mehmet Bogujevci dhe Latif Demolli, zëdhënës dhe njëherësh edhe gjyqtar ndërkombëtar, shprehën brengën e mungesës së mjeteve financiare. “Jemi të përgatitur për turne, por problemi më i madh është që nuk ka Qeveri funksionale, ende nuk kemi asnjë cent përkrahje.

Kësti e katër ministria nuk na e ka qitur, jemi në muajin e 11-të dhe u dashtë me pasur këstin e katërt.  Për momentin nuk kemi mjete.  Edhe Qeveria, pra kryeministria duhet të kenë kujdes dhe të na mbështesin, që ka ende kohë, ndërsa ne jemi në kërkim të sponsorëve. Janë paraqitur disa sponsorë, të cilët do të na ndihmojnë, ende shifrat s’i kanë treguar me sa do të na ndihmojnë, kurse firma ‘Passablee’, firmë e njohur, shpresojmë se do të na mbështes”, tha Bogujevci në konferencë me gazetarë. Demolli tregon edhe cilat nga shtetet do të marrin pjesë në turne.

“Kemi konfirmimin e gjashtë boksierëve nga Bullgaria, Kroacia, dy nga Italia, tre nga Zvicra, Sllovenia është në pikëpyetje, Çekia dhe Polonia do të vijnë por që ende nuk na i kanë paraqitur boksierët, Mali i Zi pritet të vijë me 2-3 boksierë, Maqedonia do të merr pjesë, Shqipëria pritet të vijë me 5-6 boksierë, Kosova do të paraqitet me disa boksierë, varësisht nga numri i pjesëmarrësve në përgjithësi. Sa i përket referimit barrën me të madhe e ka Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës, po ashtu do kemi një gjyqtar nga Maqedonia dhe Bullgaria, ndoshta edhe nga Kroacia.

Federata Evropiane e ka caktuar për delegat kryesor të turneut ‘Adem Jashari’ Marko Maroviq nga Kroacia. Sa i përket përgatitjeve jemi të përgatitur dhe jemi të gatshëm qysh nesër. Mjete financiare ende nuk kemi edhe pse turneu është nën patronatin e Qeverisë dhe të MKRS-së, por ende nuk kemi përgjigje. Ne do ta kryejmë turneun siç është më së miri dhe ndoshta është edhe më i madhi në rajon. Gjysmëfinalja zhvillohet me 16 nëntor dhe finalja me 17 nëntor”, tha Demolli.

Më tutje tregon se federata e tyre është më e dëmtuara: “Në vitin 2019 kemi qenë federata më e dëmtuar sa i përket ministrisë. Kësti i fundit është 13900 euro, aq edhe kushton turneun me përmbyllur, minimumi me akomodim dhe përgatitje”. Demolli tha se kanë disa boksierë të mirë: “Kemi 5-6 boksierë që janë në nivel evropian dhe secili mund të shpallet më i mirë, ka edhe Bullgaria boksierë të mirë dhe që kanë edhe medalje evropiane”. Bogujevci tregon se në turne do të vije edhe një mysafir special.

“Çdo vjet kemi disa mysafirë jashtë federatës, këtë vit mysafir e kemi përzgjedhësin e Bullgarisë, Mihail Takov, është gjeneratë e imja, njeriu i cili shumë na ka mbështetur dhe kemi përgatitur për të special një plaket për kontributin që ka dhënë për licencimin e trajnerëve të boksit në Kosovës”, tha Bogujevci. Kësaj radhe nuk do të ketë shpërblime për boksierët.

“E vetmja federata jonë është në Evropë që ka nda shpërblime në turne, por nuk është obligative sipas rregullores së EUBC-së. Kemi dhënë 500 euro për fituesin e turneut por kësaj radhe nuk do të kemi, sepse nuk kemi mjete”, përfundoi Demolli.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat