Muhamed Ali kishte liruar 15 pengje amerikane të zënë nga ushtria e Saddam Hussein në Irak

Boksi

Muhamed Ali kishte liruar 15 pengje amerikane të zënë nga ushtria e Saddam Hussein në Irak

Nga: Sali O. Kabashi Më: 17 janar 2020 Në ora: 17:29
Muhamed Ali

Figurat e mëdha, nuk mund të kujtohen ndryshe veç se me veprat e tyre, e që pa dyshim se janë poashtu të mëdha dhe mësim për gjeneratat që vijnë. Muhamed Ali, njihet si sportisti më i mirë i të gjitha kohërave, mirëpo ishte edhe shumë i ditur, orator dhe shumë human. Ndikimi i tij kalonte çdo kufi, madje edhe atë të paragjykimeve dhe inateve, hynte “pa leje” dhe i bënte njerëzit të ndiheshin mirë.

Në këtë ditë (17 janar 2020), sikur Ali të ishte gjallë, do të mbushte 78 vite, andaj ta kujtojmë atë figurë të madhe të sportit dhe historisë në përgjithësi, me një vepër të jashtëzakonshme që pak nga ne e dimë dhe jemi të informuar.

Në vitin 1990, Muhamed Ali kishte arritur të lironte 15 pengje amerikane të zënë në Irak nga ushtria e Saddam Hussein gjatë luftës së Gjirit.

Muhamed Ali kishte organizuar një "Turne të vullnetit të mirë" në Bagdad, i cili u kritikua shumë nga qeveria amerikane. Gjithashtu edhe gazeta e famshme amerikane, New York Times vuri në dyshim aftësinë e Aliut për të komunikuar, pasi ai ishte duke luftuar me sëmundjen e Parkinsonit.

New York Times do të shkruante:

"Me siguri fushata më e çuditshme e lirimit të pengjeve të ditëve të fundit ka qenë "Turneu i vullnetit të mirë" nga Muhamed Ali, ish-kampionit të boksit në pesha të rënda. Ai ka marrë pjesë në takime të ndryshme në Bagdad përkundër paaftësisë së tij të shpeshtë për të folur".

Megjithatë The Greatest nuk çante kokën se çfarë thonë të tjerët, ai kishte marrë përsipër këtë mision dhe ishte i vendosur që ta kryente me sukses. Aliu do të përdorte famën dhe ndikimin e tij për të negociuar për lirimin e 15 pengjeve amerikane, në mesin e mijërave të huajve që kishte zënë Saddam Hussein, në gusht të vitit 1990 menjëherë pasi vendi i tij, Iraku, kishte pushtuar Kuvajtin.

Më 23 nëntor 1990, Muhamed Ali shkoj në Bagdad të Irakut, duke u përpjekur që të takonte Saddam-in dhe për ta bindur atë për lirimin e pengjeve amerikane.

Vernon Nored nga Ambasada e SHBA-së në Bagdad, i cili ishte ndërlidhësi i Aliut me Saddam Hussein, tha se ndërsa priste që Saddami të binte dakord të takohej me të, Aliu bëri vizita te fëmijët në shkolla dhe u lut në Xhami, me shpresë se nuk do të kishte më luftë.

Për një javë, Aliu nuk kishte arritur të takonte Saddam-in, për më keq, Aliut iu hargjua edhe terapia për sëmundjen e Parkinsonit. Andaj, ndonëse nuk mund të fliste si duhet për shkak të kësaj gjendje shëndetësore, megjithatë ai u paraqit në një konferencë për shtyp, ku u shpjegua që ai nuk do të fliste.

Mirëpo, Nored arriti të siguronte terapinë e nevojshme nga Spitali irlandez në Bagdad, në ndërkohë, arriti lajmi se Muhamed Ali iu lejua takimi me Saddam Hussein.

Takimi u zhvillua më 29 nëntor 1990. Saddam, gjatë takimit e siguroi Muhamed-in se pengjet ishin duke u trajtuar mirë dhe se ishin të sigurt.

Përgjigja e Saddam-it për Muhamed Ali në kërkesën e tij për lirimin e pengjeve ishte shumë e mirëpritur për Kampionin, Saddam tha: "Unë nuk do të lejoj që Ali të kthehet në SHBA pa qytetarët amerikanë që ta shoqërojnë atë."

Më në fund, Ali kishte arritur që me autoritetin e tij të ndikonte tek Saddam Hussein dhe ti lironte të 15 pengjet amerikan, ku më pas pengjet e liruara shkuan tek hoteli ku po qëndronte Muhamed Ali, me ç'rast e vizituan dhe e falënderuan për punën e tij paqësore.

Më 2 dhjetor 1990, Ali u kthye në Amerikë me të 15 ish-pengjet amerikane, ku kritikët e Kampionit ende pohonin se misioni i tij ishte për publicitet personal, e jo për lirimin e pengjeve.

Këtyre kritikave, Ali iu përgjigj në mënyrën e tij: "Unë kam nevojë për publicitet, por jo për atë që bëj për mirë! Kam nevojë për publicitet për librin tim, kam nevojë për publicitet për luftimet e mia, kam nevojë për publicitet për filmin tim - por jo për të ndihmuar njerëzit."

Muhamed Ali, mbetet sportisti më i mirë i të gjitha kohërave dhe shembull si për sportin, ashtu edhe për mbar njerëzimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat