Faruk Gërxhaliu një emër i njohur i boksit dhe kontribuuesit në sport në Mitrovicë edhe Kosovë

Boksi

Faruk Gërxhaliu një emër i njohur i boksit dhe kontribuuesit në sport në Mitrovicë edhe Kosovë

Nga: Fatmir Beka Më: 19 korrik 2020 Në ora: 12:48
Faruk Gërxhaliu

Aktualisht rrobaqepësin me emër Faruk Gërxhaliu që njihet edhe respektohet nga shumë qytetarë të Mitrovicës , pak (me përjashtim të sportistëve të gjeneratës së mesme) veta e dinë se ka qënë një ndër shtyllat e klubit mitrovicas më pas edhe prishtinas të boksit, kampion dhe më pas kontribuues i madh në organizim dhe financim të sportit/

Ai është një ndër sportistët tanë të dalluar, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në boksin kosovar në përgjithësi dhe atë mitrovicas në veçanti.

U lind në vitin 1952, në fshatin Studime e Ultë e komunës së Vushtrrisë, ku ka mbaruar shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme në Mitrovicë, studimet në Maribor të Sllovenisë.

Duke u rrit edhe burrëruar në qytetin e sportit në qytetin buzë Ibrit nuk ka si mos të provonte ndonjë sport, e ai qysh si i ri ka adhuruar sportin e boksit- shkathtësisë bujare.

Në vitin 1970 ka filluar të merret me boks në KB “Akumulatori” në Mitrovicë, ndërsa tri vjet më vonë, bashkë me trajnerin legjendar të boksit Lah Nimani dhe dy boksierë tjerë të klubit: Xhevdet Pecin dhe Enver Hajredinin kalon në KB “Prishtina”.

Image

Nga Mitrovica në Prishtinë më vonë kanë shkuar edhe boksier tjerë me emër si Daut Dauti, Haki Peci, Sefedin Braha etj.

Pas zgjedhjes së Lah Nimanit kryetrajner i këtij klubi, ushtrimet përgatitore janë mbajtur rregullisht në Saraj të Shkupit, ndërsa ato verore janë në Budvë, Ulqin, Bokë të Kotorrit etj., herë pas here përgatitjet shtesë bëheshin edhe në Bullgari e Greqi kujton sot me nostalgji Faruku.

Bashkë kohanikët dhe adhuruesit e shkathtësisë bujare – boksit e njohin Farukun si sportist të vërtetë, që e donte shumë boksin, prandaj ishte i përgjegjshëm, shumë i disiplinuar dhe i rregullt në ushtrime.

Në vitin 1976 Faruku u shpall kampion i ish-Jugosllavisë në garat ekipore dhe po atë vit, për shkak se fitoi të drejtën për të studiuar në Maribor të Sllovenisë, iu desh të braktisë KB “Prishtina”, mirëpo mendjen gjithmonë e ka pasur te ky klub i zemrës dhe Kosova.

Gjatë studimeve tri vjet me radhë ka boksuar në KB të qytetit të Mariborit, ishte kampion i Sllovenisë dhe anëtar i reprezentacionit të kësaj Republike të ish-Jugosllavisë. Është shumë interesant se gjatë karrierës së tij si boksier në këtë vend gjithmonë ka dalë fitues, pra nuk ka pësuar asnjë humbje.

Gërxhaliu ka boksuar edhe në qytete tjera por edhe në Itali, në Austri, në Gjermani etj., ndërsa pas braktisjes aktive të boksit ishte edhe trajner, duke përgatitur boksierët e rinj të KB “Akumulatori”.

Aktualisht ai vazhdon të jetoj e punoj në Mitrovicë, përcjell shumë sportin dhe shpesh organizon takime me ish-bashkë kolegët e klubit she sportistët tjerë nga Mitrovica.

Faruk Gërxhaliu i cili ka qenë nxënës i trajnerit Lah Nimanin ka fjalë miradije, respekti e mirënjohje për trajnerit si pedagog, shok e mbi të gjitha njeri.

“Lahu për mua dhe të gjithë sportistët e tjerë të boksit ka qenë një edukator i vërtetë, një prind shembullor, ai na ka mësuar ABC-në e boksit, të gjitha sukseset që i kemi arritur, janë të lidhura me emrin Lah Nimani, sepse kanë qenë meritë kryesisht e tij. Ishte njeri që rrezatonte gjithmonë energji pozitive. Ai na motivonte që të bëhemi më të mirë e të shkëlqejmë jo vetëm në sport, për edhe gjithkund e në çdo kohë të jetës sonë”, thotë ai.

Image

I shton se Lah Nimani sa ka qenë i afërt e i dashur me ne, aq ka qenë edhe kërkues ndaj nesh, kërkesa e tij më e madhe ka qenë disiplina në punë, prandaj sukseset e tij janë të papërsëritshme.

Duke përfunduar Faruk Gërxhaliu shton se “Jam i lumtur e krenar që kam pasur fat ta kem trajner, edukator e profesor të mrekullueshëm, që kemi jetuar me një kohë të përbashkët ”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat