Bekteshi për Xhevdet Pecin: Kampion më fal, që ke një trajtim të tillë poshtërues

Boksi

Bekteshi për Xhevdet Pecin: Kampion më fal, që ke një trajtim të tillë poshtërues

Nga: K.G. Më: 30 gusht 2020 Në ora: 03:22
Foto me dy legjendat Agim Kasapolli dhe  Xhevdet Peci

Shumë dashamirë jo vetëm të sportit janë të prekur thellë me atë çfarë i ka ndodhur legjendës së boksit Xhevdet Peci.
Ish boksieri i mirënjohur nuk merr më shumë se 90 euro pension! 

Peci nuk e ka statusin e sportistit me merita të veçanta. Ka reagime të shumta për rastin Peci që nuk merr më shumë se 90 euro, kur dihet se ai ka qenë më i merituari që Prishtina ka fituar pesë herë titullin e kampionit në ish Jugosllavi në vitet e 70-ta dhe të 80-ta. Ramazan Bekteshi ka reaguar ashpër, duke kujtuar ditë e arta dhe të krenarisë së popullit shqiptarë me luftërat e Pecit në ring. 

“Apologjia ime kampionit të shumëfishtë të boksit, Xhevdet Pecit.
(Me rastin e pensionimit dhe detyrimit për mbijetesë me 3 euro në ditë)!

Kampion, më i madhi i të mëdhenjve, kolosi ynë, kampioni i shumëfishtë i yni, ambasadori i Kosovës, kur vendi ynë shtypej, burgosej, poshtërohej, ti asi ynë, me grushtet tuaj të hekurtë na bëje krenar.

Luftove dy dekada, derisa policia për çdo dite torturonte, burgoste, diferenconte, por ti sikur një pararojë na dilje krah si një ngushëllim, nëpër arena jugosllave, para ekraneve televizive duke dërrmuar sportistët e privilegjuar e kulminantë të atyre që na shtypnin, me pleksusin tënd të famshëm e të pamëshirshëm.

Ti na bëje të çmendemi nga gëzimi, nga krenaria, me gjeneratën tënde të artë, grushti yt ishte kënaqësia, ngushëllimi dhe kushtrimi i vetëm i yni gjate atyre ditëve të vështira okupimi.

Kampion, ti ia fale Kosovës medaljet, titujt shtetëror, namin, triumfove në turnirë ndërkombëtarë, por si shpërblim e përgjigje nga shteti ynë more përbuzjen, injorimin dhe harresën. 
Kampion, tani kur trupi yt i lodhur nga një sport fisnik dhe njëkohësisht brutal, ka nevojë për një jetë e pushim të dinjitetshëm, ty shteti ynë te shpërbleu me tre euro në ditë, aq sa e ka harxhin, macja.

Kampion, unë tani ndihem i indinjuar dhe i zhgënjyer me shtetin tim dhe politikanët tanë, për hilet e tyre të shumta që ditën të krijojnë, një ushtri fiktive, 60.000 veteranë të rrejshëm por vetëm 20.000 luftëtarë të vërtetë, me vjen turp se këta certifikata të rrejshme u shitën edhe nga 5000 euro për cope nga disa komandantë, duke ia shter fondet shtetit pamëshirshëm, derisa ti kampion me ndershmërinë tënde, je i detyruar të jetosh me harxh 3 euro në ditë, aq sa macja ime. 

Kampion më fal, që ke një trajtim të tillë poshtërues, derisa një ish kryeministër për një darkë harxhoi 35.000 euro, rrafsh sa pensioni yt për 38 vite, po, vetëm për një darkë të vetme harxhoi KM ynë me emër e me mbiemër, aq para pa dhimbje. 
Derisa, Zv. ish kryeministri harxhoi vetëm për fluturime 750.000 euro pa i përfshirë ushqimet, hotelet, mëditjet, dhe këtë në emër të lobimit, por në vend të njohjeve na solli çnjohje. E ty kampion, të nxjerrin para aktit te kryer, që me 90 eurot e shtetit ta bësh mbijetesën e pamundur. 

Kampion më fal, sepse politikanët tanë kanë para të lobojnë për ndarje të vendit me para të shtetit, të falin mirënjohje, të ndajnë fonde për studime jashtë shteti të familjarëve, akrabave, për ‘shopping-diplomacy’, ahengje, me kursime e investime jashtë shtetit, por kurrë s’u kujtuan të kërkojnë pensionet, kontributet, kursimet nga Serbia edhe pas 21 vitesh, por presin të vdes e gjithë kjo gjeneratë që u sakrifikua për pavarësi, që jeta e kësaj gjenerate kaloi nëpër rrathët më të tmerrshëm të ferrit jugosllav, s’bashku me brezin tënd, kampion.

Kampion më fal, tani kur duhet të rikujtojmë shkëlqimin tënd, kur duhet të numërojmë kupat, medaljet, mirënjohjet tua, kur duhet të peshojmë grushtin tënd omnipotent, zemrën tënde si të luanit , as unë as dhjetëra mijëra fansat tuaj s’e kemi kurajën të të përgëzojmë për shpërblimin tënd jetësor që ta ndau shteti, pensionimin me 90 euro, tri euro në ditë, aq sa harxhi i një maceje, për një qytetar të dinjitetshëm, e kampionin zulmëmadh.

Kampion më fal, sot është një ditë e trishtë sepse shteti yt, qe ia kushtove një jetë të tërë me sakrifica mbinjerëzore, të përbuzi keq, sepse të dënoi që të kalosh pjesën e mbetur të jetës vetëm me 90 euro në muaj.

Shteti që shpenzon pa kontroll, me ministri gjigande e shpenzime enorme, por jo për jetën dhe mirëqenien e sportistit, artistit, qytetarit, por për jetën e politikanit qe sillet e pështillet nga pozita në pozitë, duke jetuar mbi shpinën e kërrusur të qytetarit tash e 21 vite, si të pangopur kurrë.

Kampion më fal, sepse në vend të kronikës epike të lavdishme tuajën, që desha ta shpalos në ketë shkrim, unë po shkarravis copëza vaji, dromca ankesash, por s’arrij dot të shkruaj një elegji për grushtin tënd të hekurt “t'i bij mu në zemër malit që s'bëzanë” e as për një “shekull i apoteozës se misrit ndër foletë e shqypeve!” Me fal kampion, që në emër te urimit m’u deshtë t’ju ngushëlloj, legjenda jonë”, shkruan Ramazan Bekteshi në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat