Afron dueli i “yjeve” Nurmagomedov-Gaethje, nisin sulmet në distancë

Boksi

Afron dueli i “yjeve” Nurmagomedov-Gaethje, nisin sulmet në distancë

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 00:18
Khabib Nurmagomedovi

Sfida Khabib Nurmagomedov – Justin Gaethje po afron dhe dy sportistët janë duke bërë përgatitjet e tyre të fundit për sfidën e UFC, që do të mbahet të shtunën, në mbrëmje vonë, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, në peshën e lehtë nga 66-70 kilogramë, në artet e përziera marciale. “Shqiponja” nga Dagestani do të mbrojë titullin në këtë kategori dhe natyrisht me atë rekord perfekt që ka Khabibi konsiderohet si favorit për të zgjatur akoma më tepër karrierën e tij pa humbje.

Deri tani, në MMA, 32-vjecari rus ka fituar 100% të ndeshjeve, pra 28 nga 28, 8 prej të cilave me “knock out” dhe 10 me nështrim apo dorëzim të kundërshtarit. Kjo është ndeshja e parë për Nurmagomedov në vitin 2020, një vit i mbrapshtë për të, pasi në fillimin e muajit korrik Khabibi humbi babanë e tij, Abdulmanap, që ndërroi jetë në një spital të Moskës, teksa u infektua nga virusi Covid – 19 pas një ndërhyrjeje kirugjikale në zemër.

Takimi i tij i fundit mbetet dueli i zhvilluar 13 muaj më parë, po në Abu Dhabi, ku “shqiponja” mposhti me “rear – naked choke” 31-vjeçarin nga Shtetet e Bashkuara, Dustin Poirier, gjithsesi Khabibi ka patur mjaftueshëm kohë për t’u stërvitur dhe Nurmagomedov në fakt është përgatitur intensivisht për të mbrojtur me sukses titullin. 32-vjeçari ka bërë të qartë edhe planin e tij ndaj kundërshtarit amerikan. Nurmagomedov ka zbulur se ka ndërmend për ta lodhur sportistin nga Shtetet e Bashkuara dhe ta detyrojë më pas që të dorëzohet, gjithsesi “shqiponja nga Dagestani” shtoi se, edhe nëse nuk funksionon plani fillestar, përsëri ai është përgatitur për nje betejë të ashpër, që mund të shkojë deri në pesë raunde.

Kjo është mbrojtja e tretë e titullit në peshën e lehtë për Khabibin, sidoqoftë Nurmagomedov, pasi e vlerësoi në maksimum amerikanin Justin Gaethje tha fjalë vërtetë shumë të mira për kundërshtarin e tij të radhës, duke theksuar se ka mbetur tepër i habitur nga forca dhe freskia fizike që shfaqi 31-vjeçari nga Arizona ndaj bashkëkombasit të tij Tony Ferguson. Nurmagomedov shpjegoi se Gaethje ka goxha eksperiencë dhe lufton shumë mirë me duar dhe me këmbë, si në mundje apo kapje dhe mbërthim ashtu edhe në grushtim.

Në lidhje me statusin e më të mirit të të gjitha kohërave, 32-vjeçari rus deklaroi pa shumë modesti, se do t’i nevojiten edhe nja dy ndeshje të tjera, për t’u konsideruar si sportisti më i suksesshëm i arteve të përziera marciale. Në fakt 31-vjecari nga Arizona shkëlqeu në fillimin e muajit maj, ndaj Tony Ferguson, në mbrëmjen numër 249 të UFC, në Florida, në Jacksonville, në performancën e asaj nate, ku sportisti amerikan siguroi titullin e përkohshëm në peshën nga 66-70 kilogramë.

Pas plot pesë shtyrjeve në kohë, për arsye nga më të ndryshmet, dy luftëtarët nga Shtetet e Bashkuara u përballën pijkërisht më 9 maj, në një duel të ashpër, që u fitua me “knock out” teknik, pas grushteve të tij të panumërta dhe tepër të forta. Gaethje nuk ka qenë kurrë i mërzitshëm në deklaratat e tij, ndërsa në oktagon “The Highlight”, siç ka edhe nofkën, i ka mbyllur llogaritë vetë, pa i lënë ato në duart e gjyqtarëve.

31-vjeçari nga Saffordi ka një stil të egër, megjithatë shpesh herë ai është shfaqur në kafaz si kokëkrisur dhe guximi i tepruar apo pakujdesia i ka kushtuar rëndë në disa raste, si përshembull tre vjet e gjysmë më parë, kur në harkun e vetëm katër muajve u mund në Michigan dhe Arizona, me “knock out”, respektivisht nga dy bashkëkombësit e tij, Eddie Alvarez dhe Dustin Poirier. Këto janë edhe dy humbjet e vetme për “Highlight” në karrierë, që krenohet me 22 fitore në 24 sfida, 19 prej të cilave pikërisht me “knock out”.

Gaethje deklaroi se kjo është një luftë, por ai nuk ka ndër mend ta vrasë sportistin e famshëm rus. 31-vjeçari shtoi se Khabibi beson se nuk mund të dëmtohet, megjithatë Gaethje premtoi se do të mundohet që t’i shkaktojë sa më shumë dëm në pjesët e ndryshme të trupit, për t’i treguar luftëtarit nga Dagestani se edhe ai është njerëzor. Ai shtoi se pavarësisht hitorive që tregohen për Khabibin ai ka besim te aftësitë dhe forca e tij, për më tepër sportisti amerikan rrëfeu se nuk i bëhet shumë vonë nëse në fund fiton apo humbet. Gaethje qartësoi se ky është stili i tij dhe, sipas tij, kur bëhen bashkë, besimi dhe forca prodhojnë një kombinim vërtet shumë të rrezikshëm.

Në fund Gaethje e mbylli deklaratën e tij me fjalët se ai do të japë maksimumin për t’i treguar “shqiponjës nga Dagestani” se është superior në aspektin fizik dhe dëshiron shumë që ta bëjë Khabibin të heqë dorë dhe të dorëzohet. Dueli Nurmagomedov – Gaethje përfaqëson sfidën më të fortë të natës numër 254 të UFC në Abu Dhabi, në Flash Forum në Ishullin Yas, mbrëmje ku janë planifikuar plot 12 takime gjithsej dhe ende nuk ka një orar të saktë, se kur do të startojë në të vërtetë edhe ndeshja më e rëndësishme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat