Pasi humbi dy duelet e fundit të karrierës së tij ndaj Stipe Miocic (në peshën e rëndë), ikona e arteve marciale mikse, Daniel Cormier, deklaroi tërheqjen e tij nga sporti.
Gjithsesi, 41-vjeçari amerikan duket se ka vendosur të rikthehet në kafaz, duke u rikthyer në peshën ku bëri epokë, atë “light heavyweight” (pesha deri 93kg).
Sipas mediave amerikane, Cormier synon të duelojë me kampionin e botës së këtij Divizioni, Jan Blachowicz. “Kur Jan deklaroi se donte të duelonte me mua, duke më ftuar të çohesha nga divani, mendova, “pse jo”. Do të rikthehem, ta mposht dhe më pas do të largohem me nder dhe kampion”, tha Daniel Cormier.
“Këto do të jenë 15 minutat e mia të fundit në kafaz. Jam në formë dhe mendoj se mund t’ia dal mbanë. Kam shumë përvojë, pavarësisht moshës”, tha Cormier. Gjithsesi, kampioni aktual Jan Blachowicz pritet të mbrojë titullin ndaj Israel Adesanya në janar ose shkurt të 2021-shit.