Presidenti i KOK-ut, ka pritur medalistët e Kampionatit Evropian

Boksi

Presidenti i KOK-ut, ka pritur medalistët e Kampionatit Evropian

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 16:47
Presidenti i KOK-ut, ka pritur medalistët e Kampionatit Evropian

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka pritur sot delegacionin e boksit, pas suksesit të arritur në kampionatin evropian për të rinj dhe juniorë, ku fituan dy medalje.

Alnera Brahimi fitoi medaljen e argjendtë në evropianin e junioreve “Sofia 2020”, ndërsa Remzo Mustafiq fitoi të bronztën në evropianin e të rinjëve U17 dhe U-17 “Budva 2020”.

Ekspedita e boksit përbëhej edhe nga sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës (FBoxK), Mehmet Bogujevci, trajnerët Besim Brahimi e Mehmet Haxhani, dhe gjyqtari ndërkombëtar, Latif Demolli, i cili ndau drejtësinë në të dyja këto kampionate.

Presidenti Hasani, duke përgëzuar boksierët për suksesin e arritur uroi ata që të punojnë me trajnerë te tyre dhe ta shohin kampionen Olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendin, si inspirim për t’i ndjekur ëndrrat e tyre për të fituar medalje elitare, ndërsa i njoftoi edhe me përftitimet që mund të kenë nga shteti gjatë dhe pas karrierës.

Sekretari i përgjithshëm i FBoxK-së, Bogujevci, falënderoi presidentin Hasani për pritjen, si dhe mbështetjen që KOK-u po i jep boksit dhe sportistëve të rinj.

Boksierët Brahimi e Mustafiq u shprehën falënderues për pritjen, si dhe mbështetjen që kanë nga FBOX dhe trajneri Mehmet Haxhani, derisa theksuan se synimi i tyre në karrierë është medalja evropiane, botërore ose Olimpike për senior.

Trajnerët Besim Brahimi dhe Mehmet Haxhani, theksuan se ky është vetëm fillimi i këtyre boksierëve, me besimin se ata dhe boksierët tjerë i pret e ardhme e ndritur, edhe në kategorinë elitare.

U bisedua edhe për boksieren Donjeta Sadiku, të cilën në vitin e ardhshëm e pret sfida për ta fituar normën Olimpike, për çka trajneri i saj, Brahimi, u shpreh optimist se ajo do të fitojë edhe medaljen Olimpike Tokio 2020.

Gjyqtari Demolli u shpreh i nderuar që edhe një herë pati mundësinë të përfaqësojë Kosovën në kampionate të tilla, duke ndarë drejtësinë, për çka u vlerësua nga delegatët gyqtari me vlerësimin më të madh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat