Ja pse duhet të skuqet boksi i Kosovës 

Boksi

Ja pse duhet të skuqet boksi i Kosovës 

Nga: Kemajl Goca Më: 27 korrik 2021 Në ora: 14:32
Kur boksonte Mehmt Bogujevci

Opinion / Cilësia rritet me punë dhe jo me fjalë! Pa plan – program nuk shkohet askund, as livadhin me kosit, se lere me në ngjarje më të mëdha!

Boksit i krenarisë në vitet e 70-ta dhe të 80-ta dhe boksi i pasluftës është vetënumëro e me pak boksierë!

Falë trajnerit Besim Brahimi po mbahen disi me disa boksierë në skenë por jo të mjaftueshëm për medalje në garat e mëdha si në Kampionatin Evropian, në Kampionatin Botëror dhe në Lojërat Olimpike.

Nuk jetohet gjithmonë me krenarinë e dikurshme, me krenarinë e suksesit të Aziz Salihut, Mehmet Bogujevcit, Sami Buzollit, Xhevdet Pecit, Nazif Gashit, Fatmir Makollit, Afrim Majancit etj.

Këta janë krenaria jonë, por ku jemi tash e 22 vite?

Dikur klubi i boksit Prishtina ishte një fabrikë e prodhimit të talenteve e emrat të mëdhenj, sot është një fabrikë e amortizuar e boksit, klubet tjera nuk janë askund me përjashtim të Gollakut. 

Mehmeti Bogujevci nënkampion i botës në vitin 1978, Aziz Salihu fitues i medaljes së bronztë olimpike në vitin 1984, Sami Buzolli, dy herë nënkampion evropian dhe fitues i medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror, Fatmir Makolli, i treti në Kupën botërore etj. pa llogaritur edhe tituj në ish Jugosllavi apo një Xhevdet Peci, nokautues apo i frikshëm për të gjithë kundërshtarët, kalibër të këtij llojit na ka marrë malli me pa!

Edhe populli po qan për ta! Vaji halli ku ka ra sporti i boksit sot, medet për ne!   

Sot e 22 vite të pas luftës, Kosova nuk ka kalibër të Mehmet Bogujevcit, as të Aziz Salihut, as të Xhevdet Pecit, as të Sami Buzollit, as të Nazif Gashit etj.

Sot kemi krenari të rrejshme me suksese në disa turne, sot kemi fjalë shumë e rekord fotosh, kjo është krenaria jonë!  

Kah po shkon boksi? Në humnerë!  Dikur boksi dridhte Kontinentin e Vjetër, mburreshin të gjithë me shqiptarët nga Kosova, sot a i gjen apo jo deri 3 boksierë solid për nivelin e Kosovës, të tjerët po ikin nga pakënaqësitë e në mungesë të kushteve e kushedi pse! Driton Kuka është model i punës jo vetëm, në Kosovë dhe në Ballkan por në tërë botën! Një Driton Kuka është tani për tani, që ka strategjinë, ka recetën e ka mbi të gjitha regjimin sportiv.

E ka edhe deklaratën e matur e shumë profesionale. Nuk flet me gjuhën tallava por sportive! Puna dhe disiplina, regjimi sportiv, sot Kosova i ka tri medalje olimpike, të arta të gjitha, duke iu falënderuar trajnerit më të mirë shqiptar Driton Kuka me xhudistet Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, pa llogaritur tituj e botës e të Evropës. A skuqet boksi që ka ngecur larg me rezultate? 

A ka strategji Federata e Boksit e Kosovës së bashku me klubet, si të dilet nga kjo gjendje, të paktën për një boksier, që mund të luftojë për medalje evropiane, botërore dhe olimpike? Kështu nuk iu ka hije sepse duhet të skuqeni, dikur ishit fuqi. Nuk mund të kthehet më Mehmet Bogujevci në ring, as Aziz Salihu, as Xhevdet Peci, as Nazif Gashi, se i kanë kaluar mbi 60 vjet e 65 vjet. 

Puna është keq në boks, më keq nuk ka ku shkon! Gjuha është prej tulit, mund të thuash se jeni më të mirët, po shihen rezultatet e sukseset: As kampion evropian, as të botës as medalje olimpike, të paktën një të bronztë për seniorë! Krenari shterpe me vite e vite!

Është koha të mobilizohen, ta shpëtojnë boksin para varrosjes! Mehmet Bogujevci nuk flet, ai e din më së miri pse nuk flet se nuk ka për kë të flet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat