Haxhi Krasniqi: Nuk jam sportist i cili sulmon verbalisht

Boksi

Haxhi Krasniqi: Nuk jam sportist i cili sulmon verbalisht

Nga: Kemajl Goca Më: 7 prill 2017 Në ora: 18:49
Haxhi Krasniqi

Në mendje e ka vetëm fitoren dhe asgjë tjetër boksieri i mirënjohur shqiptar, Haxhi Krasniqi. Ai përgatitet me zell të shtuar që të jetë në formën më të mirë të mundshme para supersfidës me boksierin armen me nënshtetësi gjermane, Arthur Abraham. Pak ditë na ndajnë nga meçi i madh përkatësisht me 22 prill në Erfurt të Gjermanisë ndeshen Krasniqi e Abraham, sfidë e vlefshme eliminatore për titullin e Botës në kategorinë super të mesme në versionin WBO. Luftëtari i ringut nga Kosova e ka më së të qartë për cilësitë që ka Abraham, por dot nuk i frikësohet kësaj beteje, por beson në fitoren e madhe. Krasniqi, dy herë ka luftuar për titullin e botës, por të dy herët nuk ka pasur fat. Herën e parë për titullin e botës në versionin WBO u ndesh me uellsianin Nathan Cleverly pikërisht në vitin 2013, pastaj pas dy vjetësh në versionin WBA kundër gjermanit Juergen Brahmer.  Megjithatë, Krasniqi ka fituar një përvojë të hatashme, tani është edhe më i fuqishëm se asnjëherë me parë dhe që mund të jetë edhe vit i kryetrimit tonë.  Boksieri nga Juniku është jashtëzakonisht i qetë, i matur para kësaj sfide, por sipas tij, beson se do të tregojë kualitetet përballë Abrahamit. Këshilltari i Haxhiut, Luan Dreshaj, tha se është fakt se Haxhiu i ka duart me të gjata se rivali dhe shpreson se para kohe mund ta përfundojë meçin. Ndërkaq, Krasniqi në intervistën ekskluzive për gazetën kombëtare “Bota sot” thotë se është normale se rritet presioni në ditët e fundit. Nga ana tjetër, dashamirët me të flaktë të boksit, por në përgjithësi kudo që jetojnë e veprojnë shqiptarët, mezi e presin ditën e 22 prillit dhe me bindje se Krasniqi do ta gjunjëzojë Abrahamin.  

Image

“Bota sot”: Haxhi, tash e një kohë në përgatitje intensive, a jeni në pikën më të lartë të formës?

Haxhi Krasniqi: Besoj se po, ndihem shumë mirë, njeriu mëson nga dueli në duel dhe kështu që kam mësuar akoma më shumë edhe pas duelit të 50-të.

“Bota sot”: Pak ditë na ndajnë nga meçi i madh, a jeni në presion, kur kihet parasysh se kudo që janë shqiptarët e presin me padurim fitoren?

Haxhi Krasniqi: Është normale që presioni në ditët e fundit shtohet, por tani jam mësuar me këtë presion dhe nuk është pengesë për mua. Mundohem ta marrë si motivim.

“Bota sot”: Arthur Abraham është kundërshtar i njohur, flitet se keni përgatitur një strategji speciale për të?

Haxhi Krasniqi: Natyrisht se po, trajneri im i ri ka shumë përvojë me kundërshtar të nivelit më të lartë botëror, andaj mendoj se jemi duke e bërë një punë shumë të mirë.

“Bota sot”: Abraham është luftarak dhe i qëndrueshëm, ku e ndjeni rrezikun më të madh nga ai?

Haxhi Krasniqi:  Përvoja e tij në 22 duele për titullin e botës është rreziku më i madh që e paraqet Abraham, por jam i përgatitur të mënjanojë ato rreziqe.

“Bota sot”: A do të jetë edhe si përparësi që boksoni në Erfurt, ku pritet të jenë një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë?

Haxhi Krasniqi: Erfurt-i një vend neutral për ne të dytë, por kam dëgjuar që në sallë do të gjenden mbi 70 për qind të fansave të mi shqiptar dhe për këtë jam shumë shumë i lumtur.

“Bota sot”:  Çfarë mesazhi keni për Abrahamin?

Haxhi Krasniqi: Nuk jam sportist i cili sulmon verbalisht, andaj dua ta lë të qetë derisa të futem në ring.

“Bota sot”: Luan, Haxhiu është para një sfide jashtëzakonisht të fortë, në kategorinë super të mesme në WBO, çfarë do ta veçojë kësaj radhe në krahasim me meçet e kaluar?

Luan Dreshaj: Ky është një duel historik për boksin shqiptar, dueli me i madh në të cilin ka marrë pjesë një boksier shqiptar ndonjëherë, kjo e bënë të veçantë këtë luftë.

“Bota sot”: Abraham njihet si rival shumë i fortë, por a do të jetë përparësi për Haxhiun që ka krahët më të gjatë dhe a mendoni se rundet e para mund të jenë edhe vendimtarë?

Luan Dreshaj: Po, duart më të gjata i ka Haxhiu dhe kjo është në favorin tonë, andaj duhet të lufton mundësisht nga distanca në mënyrë që ta shfrytëzon këtë përparësi që e ka. Në këtë duel çdo raund mund të jetë vendimtarë, por besoj se lufta do të vendoset në raundet 10 deri në 12-të, madje nuk e shoh të pamundshme një fitore me KO për neve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat