Krasniqi-Abraham, meç që i elektrizon njerëzit

Boksi

Krasniqi-Abraham, meç që i elektrizon njerëzit

Nga: Kemajl Goca Më: 21 prill 2017 Në ora: 18:43
Krasniqi e Abraham

Kudo që janë shqiptarët me padurim e presin përballjen e nesërme ndërmjet boksierit të mirënjohur shqiptar, Haxhi Krasniqit dhe armeno – gjermanit, Arthur Abraham. Supersfidë kualifikuese për titullin e botës në kategorinë super të mesme, në versionin WBO. Krasniqi është përgatitur maksimalisht, me synime vetëm për fitore.  Gjithçka është gati për betejën e madhe, në anën tjetër pritet një numër i madh i tifozerisë në sallën në Erfurt po ashtu të jenë sa më shumë bashkatdhetarë tanë në përkrahjen e kryetrimit tonë. Abraham është një boksier i dëshmuar e më përvojë, ndërsa Krasniqi ka strategjinë e tij dhe futet me optimizëm të madh në ring. Boksieri nga Juniku, dy herë ka luftuar për titullin e botës, herën e parë në vitin 2013 kur pësoi humbje (në vitin 2013, në kategorinë gjysmë të rëndë, në versionin WBO, nga uellsiani Nathan Cleverly, ndërsa në vitin 2015 në kategorinë gjysmë të rëndë (në versionin WBA) u mund nga gjermani, Jurgen Brahmer.

Image
Luan Dreshaj

Krasniqi ka përvojë jashtëzakonisht të mirë, është në formë maksimale dhe kërkon një super fitore që të kualifikohet në luftë për titullin e botës dhe në anën tjetër ta gëzojë kombin shqiptar. Këshilltari i Haxhiut, Luan Dreshaj, deklaroi ekskluzivisht për gazetën kombëtare “Bota sot”, se gjithçka është e gatshme për sfidën me Abrahamin. “Dueli ndaj Abraham është duel kualifikues për titullin WBO të botës në kategorinë super të mesme, fituesi do të ndeshet pastaj me kampionin aktual Gilberto Ramirez. Por Abraham është një legjendë e ringut dhe ky duel po i elektrizon njerëzit këtu në Erfurt dhe në mbarë Gjermaninë”, ka thënë Dreshaj.  Përplasja ndërmjet Krasniqit e Abrahamit pritet të fillojë në orën 22.30, e cila zgjon emocione të mëdha ndër tifozët më të flaktë. “Ky është një duel historik për boksin shqiptar. Abraham ka luftuar 22 herë për titullin e botës, ai i ka disa beteja që janë të paharrueshme për botën e boksit dhe kjo i jep vlerë të madhe këtij dueli.

Haxhiu do të hynë në ring me gjakftohtësi dhe do ta fiton duelin me mençuri”, thotë ai.  Krasniqi është përgatitur me intensitet të shtuar për këtë sfidë të madhe. “Po, patjetër, ka ushtruar mbi shtatë muaj për këtë duel. Ajo është një përparësi e mirë dhe kështu që duhet ta shfrytëzon duke boksuar nga distanca”, ka deklaruar Krasniqi. Dreshaj më tutje ka thënë se pritet një atmosferë madhështore në palestër. “Salla me mbi 6.000 vende janë shitur biletat totalisht, besoj rreth 4.000 shikues do të jenë shqiptar dhe përkrahës të zjarrtë të Haxhiut. Kjo natyrisht se ia jep një shtytje të madhe çdo boksierit”, theksoi Dreshaj. Parashikoni se meçi do të përfundojë para kohe apo do të jenë detajet që do ta vendosin fituesin? “Abrahami është shumë e vështirë me mposht me KnockOut, këtë nuk e ka arritur deri sot askush, por e pamundur nuk është asgjë. Katër raundet e fundit të këtij dueli do të jenë vendimtare”, thotë Dreshaj. Statistikat e Krasniqit e Abrahamit, kë e favorizojnë më shumë? “Favoritë zyrtar është Abrahami me përvojën e tij të madhe në 22 duele për tituj të botës, por për mua është favoritë Haxhiu dhe besoj në fitoren e tij”, ka thënë Dreshaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat