Joshua ka lëshuar një tjetër “grusht” ndaj Furyt

Boksi

Joshua ka lëshuar një tjetër “grusht” ndaj Furyt

Më: 20 qershor 2017 Në ora: 11:37
Anthony Joshua gjatë meçit me Klitschkon

Boksieri britanik Anthony Joshua ka lëshuar një tjetër “grusht” verbal karshi patriotit të tij Tyson Fury, duke e vlerësuar fitoren e ish-kampionit të botës ndaj Klitschko si një fitore që erdhi në një duel të mërzitshëm. Ndërkohë që, Joshua arriti një fitore dramatike në një duel spektakolar ndaj ukrainasit, duke e mposhtur me “KO” teknik në raundin e 11-të. Për këtë arsye, Joshua e kritikoi fitoren e Fury me vendim unanim të gjyqtarëve edhe pse në fund arriti të marrë titujt kampionë bote në peshat e rënda, raporton telesport.

“Fury nuk lëshoi asnjë grusht të fuqishëm, ai nuk u ngjit në ring për të dueluar”, tha Joshua për “Sky Sports”. Më tej, kampioni aktual i peshave të rënda, shtoi: “Fury thjesht lëvizte në ring dhe këtë gjë e bëri me sukses për 12 raunde. Ajo nuk ishte fitore, por thjesht tregoi se si mund ta fitojë atë duel. Njerëzit do ta kujtojnë atë sfidë thjesht për faktin se Fury mundi Klitschko dhe jo për nivelin e saj. Ndërsa fitorja ime ndaj ukrainasit ishte krejt ndryshe dhe njerëzit do ta kujtojnë gjithnjë atë”, tha Joshua për mediat britanike.

Duke iu rikthyer një përballje mes tij dhe Fury, një derbi britanik i peshave të rënda në ring, kampioni i botës shtoi se kjo përballje do të ndodhë në të ardhmen, pasi të gjithë e dëshirojnë atë. Ai nuk i trembet faktit se Fury mund të përdorë të njëjtën taktikë për ta mposhtur, ashtu si bëri me Klitschko. “Mos më pyesni mua, por trajnerin e tij. Unë e pres që të rikuperojë 100% dhe më pas të duelojmë së bashku. Dhe në fund le të fitojë më i miri”, tha Joshua. Por Fury ka ende telashe me antidopingun britanik, që do të marrë një vendim për t’i kthyer pas licencën e boksimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat