Demolli: Donjeta në formë, besoj se do ta mbrojë titullin e Evropës

Boksi

Demolli: Donjeta në formë, besoj se do ta mbrojë titullin e Evropës

Nga: Kemajl Goca Më: 30 qershor 2017 Në ora: 12:00
Donjeta Sadiku gjatë një meçi

Boksieret Donjeta Sadiku e Fjolla Çuni, janë përgatitur maksimalisht për Kampionatin Evropian, që fillon në  javën e ardhshme përkatësisht nga 2 korriku në Sofje të Bullgarisë. Donjeta futet me misionin për ta mbrojtur titullin në kategorinë 57 kg për të reja, ndërsa Fjolla do të luftojë që të arrijë deri në finalen e madhe dhe të stoliset me medalje.  Fjolla është boksiere shtatlarte, vjen nga shkolla gjermane dhe konsiderohet si brumë i hatashëm për kombëtaren e Kosovës. Zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, tha se ecuria e përgatitjeve deri më tash ka shkuar sipas programit të paraparë, dhe gjasat janë që të kthehen me medalje. “Në Sofje mbahet Kampionati Evropian për juniorë dhe të rejat, ku Kosova përfaqësohet me Donjeta Sadikun (57 kg) dhe Fjolla Çunajn (52). Deri me 19 qershor i kanë zhvilluar stërvitjet me klubin Gollaku, me selektorin Besim Brahimi.

Paradite stërviten në Gërmi, pasdite në sallë. Donjeta e Fjolla prej 19 qershorit e deri me 2 korrik janë në kampin evropian që është duke u mbajtur në Sofje të Bullgarisë, ku janë shumë shtete në përgatitje dhe kjo ka qenë e domosdoshme. Donjeta është në formë të shkëlqyer para evropianit e cila është në peshën ashtu siç e kërkojnë rregullat. Donjeta do të futet për ta mbrojtur titullin e fituar në edicioni e kaluar po në të njëjtën kategori”, tha Demolli për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Sipas Demollit, Donjeta mund të shkojë në finale pa problem. “Besoj se Donjeta është më në formë se në vitin e kaluar, besoj se nuk do të ketë problem, do të jetë në finale. Boksi është një sport që nuk i dihet, por është kandidatja kryesore për titull. Në kategorinë e saj janë të paraqitura 17 boksiere, do të thotë Donjeta duhet t’i fitojë katër meçe për të arritur në finale. Si rivale kryesore të Donjetës janë boksierja nga Anglia dhe Rusia. Mos të harrojmë se Donjeta i ka mposhtur të dyja vitin e kaluar, dhe për një nuancë ishte më e mirë se ato”, tregon Demolli.  Zëdhënësi i Federatës dhe gjyqtari ndërkombëtar, ka fjalë të mëdha edhe për Çunajn. “Fjolla Çunaj është një shpresë dhe ka një kategori të mirë, trupgjate, në konkurrencë i ka 14 boksiere.

Kësaj i duhen tri meçe për finale dhe besoj se do të arrijë më të mirën.  Fjolla ka rënë në 50 kg, kemi bërë shkresë në AIBA që ajo të paraqitet në 50 kg jo në 52 kg, por ende nuk kemi marrë përgjigje përfundimtare dhe presim këto ditë të konfirmohet. Fjolla ka një teknikë të mirë, por i mungon përvoja, e cila vjen nga shkolla gjermane, besoj se me pak fat mund të arrijë ndonjë medalje. Shorti është shumë më rëndësi në sportet luftarake. Të gjitha përgatitjet i kemi kryer, edhe këtë vit do të kemi medalje sidomos nga Donjeta, e cila është potencial për Lojërat Olimpike në Tokio”, theksoi Demolli. Në fakt, Demolli do të referojë në Kampionatin Evropian: “Si gjyqtar do të mundohem të tregoj vlerat e mija, të jesh sa më real dhe të fitojë ai që e meriton”.  Shorti hidhet me 3 korrik, ndërsa Demolli shpreson në fat për boksieret tona. “Kemi vetëbesim në boksieret tona, sidomos në rezultate më të mira dihet se tash e një kohë i kemi me femra dhe aty i kushtojmë rëndësi”, thotë Demolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat