Salihu paksa nervoz, kërkon ndihmë nga Qeveria e Kosovës

Boksi

Salihu paksa nervoz, kërkon ndihmë nga Qeveria e Kosovës

Nga: Kemajl Goca Më: 13 qershor 2018 Në ora: 10:46
Aziz Salihu

Ish boksieri i mirënjohur Aziz Salihu, aktualisht kryetar i klubit Prishtina, është duke bërë të gjitha përpjekjet që të organizojë turneun. Turneun e ka paraparë të mbahet në fundjavë përkatësisht të dielën, por ‘Zizi’ shpreson të gjej mjete materiale dhe të organizojë sa më mirë këtë ngjarje. Salihu kërkon ndihmë në organizimin e këtij turneut, që ka planifikuar të mbajë në qiell të hapur, në sheshin ‘Skënderbeu’. Sipas tij, Prishtina meriton të mbështetet nga Qeveria e Kosovës falë historisë së lavdishme. "Jam pak nervoz dhe kjo nuk është hera e parë, sepse më ka ndodhur edhe disa herë që nuk jam mbështetur për organizimin e turneve. Nuk e di pse po ndodh kjo, por as tash nga kjo qeverisje nuk po gjejë mbështetje. Kam bërë kërkesa disa herë, por nuk më janë përgjigjur. Kam kërkuar të mbështetem me 5 apo 6 mijë euro.

Klubi i boksit Prishtina e meriton një turne për të kujtuar epokën e lavdishme. Tani është harruar nga të gjithë dhe nuk është në rregull, sepse ka qenë klub që të gjithë janë mburrur me sukseset. Kam pritur që do të gjejë mbështetje nga kryeministri Ramush Haradinaj. Nuk e di se çka u kam bërë", ka thënë Salihu. Legjenda e boksit tha se ka ftuar disa nga boksierët e shteteve të ndryshme dhe beson se do të jetë ndër turnetë më të mirë. Ai shpreson se do të gjejë mbështetje për këtë turne. “Do të ishte një prej turneve më të mëdhenj që kam organizuar, sepse do të kishte numër të madh të shikuesve. Por, më duhet mbështetje për ta bërë madhështor.

Ftesës i janë përgjigjur dy boksier shqiptar nga Gjermani nga Shqipëria, Maqedonia, Kroacia dhe vende tjera", tha Salihu. Salihu ka thënë se turneu do të nis me një minutë heshtje për të nderuar legjendën e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, që të shtunën ndërroi jetë pas një sulmi në zemër në moshën 57-vjeçare dhe ish-boksierin Daut Dauti. “Nëse me jepet e drejta për të organizuar një turne kushtuar Fadil Vokrrit, do ta bëjë një gjë të tillë”, la thënë Salihu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat