Bogujevci: Krizë e rëndë, sportistët me paratë e tyre e paguajnë autobusin

Boksi

Bogujevci: Krizë e rëndë, sportistët me paratë e tyre e paguajnë autobusin

Nga: Kemajl Goca Më: 22 gusht 2018 Në ora: 18:25
Bogujevci: Krizë e rëndë, sportistët me paratë e tyre e paguajnë autobusin

Boksi është në krizën më të madhe. Mungojnë mjetet financiare! Pa mjete financiare nuk ka rregull të punës dhe nuk ka as motiv të boksierët. Gjendja është shqetësuese, këtë e thotë edhe përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Shefki Bogujevci.  “Si i kemi kushtet mirë jemi! Ka boksierë të talentuar por nuk ka përgatitje të duhur si ekip.

Si kombëtare nuk kanë kurrfarë kushtesh sepse mungojnë mjetet. Boksierët vijnë kur të duan dhe shkojnë kur të duan. Nuk ndjejnë asnjë obligim sepse nuk paguhen. Bëhet kampion i Kosovës dhe nuk merr asnjë lekë nga klubi, nuk i jep asnjë rrogë. Pa i dhënë rrogë apo një premi motivuese nuk ka edhe boks”, shpreh brengën Bogujevci.  Brengën tjetër e ka se ka pak përgatitje të përbashkëta dhe pak meçe provuese: “Nuk kemi shumë meçe që mi provuar boksierët, por vetëm kur po shkojmë jashtë. Me këto stërvitje, është shumë pak por duke punuar shumë. Nuk kemi përgatitje të përbashkëta 10-15 ditë, përveç asaj kur shkuam në kampin e Shqipërisë gjatë këtij viti. Boksi është në gjendje të vështirë, komunat po japin pak shumë për këtë sport”.

Bogujevci tha se punohet në disa klube por mjerisht nuk ka kushte! “Punohet në klube por nuk kanë kushte. Boksierët vijnë në stërvitje dhe kthehen sepse nuk kanë ardhmëri. Nuk ka pare, s’ka financim. Me lekët veta e paguan autobusin. Nuk ka kurrfarë rroge, kur bëhet seniorë të paktën me pasur një rrogë.  Përpara, kur isha boksier në Prishtinë, kisha rrogën dhe isha në marrëdhënie pune, kisha premi dhe sot nuk kanë boksierët kurrfarë dhurate, ku me gjet ata at vullnet”, shprehet përzgjedhësi.  Ai tha se vërtet është vështirë të punohet në këto rrethana dhe në krizën ekonomike që ndodhen! “Shumë vështirë me punuar me këta boksierë dhe me 15 ditë nuk mundem me mbërri rezultate.

Duhet me punuar sipas ciklit për olimpiadë, nuk mundesh me dy javë me bërë diçka. Punojnë disa klube si munden, vjen boksieri, nuk vjen, nuk ka kurrfarë  kontrolle. Kur e paguan vjen me rregull kur se paguan vjen kur të do. Krizë ekonomike! Ministria e sportit duhet me na ndihmuar! Boksi do punë, kështu nuk shkon më. Pa stërvitje nuk shkon, nuk jemi gjendje me shkuar në një kamp, se nuk kemi mjete. Boksieri Armend Xhoxhaj kishte me qenë në Olimpiadë sikurse të kishte meçe të forta.

Pa shkuar në përgatitje dy-tre muaj s’ka rezultate. Boksieri vjen stërvitje dhe me paratë e veta duhet me ble një pije ose me pi një kafe. Nuk ka as mëditje. Vetëm klubi i Gollakut, Prishtinës, Prizrenit, që kanë ring, ndërsa kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, më ka premtuar se do të më ndërtojë sallën e boksit, kurse ringun olimpik ma ka blerë komuna”, tregon Bogujevci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat