“Vdekja” e sporteve me traditë në Kosovë - Bota Sot
“Vdekja” e sporteve me traditë në Kosovë

Boksi

“Vdekja” e sporteve me traditë në Kosovë

Nga: Kemajl Goca Më: 3 shtator 2018 Në ora: 14:55
Pamje nga një meç boksi

Debate

Boksi dhe mundja, dikur sporte që dridhnin ish Jugosllavinë, por sot janë për t’i vajtuar dhe në gjendje shumë të keqe! Boksi kishte sjellë edhe medalje olimpike, siç ishte Aziz Salihu, fitues i medaljes së bronztë në vitin 1984 në Los Anxhelos, pastaj ish boksieri Mehmet Bogujevci, nënkampion bote për amator në vitin 1978 në Beograd dhe shumë ish boksierë të tjerë që prunë medalje të shumta nga rrafshi ndërkombëtar, madje Prishtina ka qenë edhe pesë herë kampion dhe gjashtë herë nënkampion i shtetit që nuk ekziston më, Jugosllavia.

Po ashtu mundja ka pasur një gjeneratë të shkëlqyeshme në vitet e 80-ta, në kohën e trajnerit të famshëm, të ndjerit Mentaz Allajbegut dhe ia kishin frikën klubet e asaj kohe të të gjitha republikave ish - jugosllave! Ku janë sot këto sporte? A kemi sot në boks një trajner si i ndjeri Lah Nimani apo një Mentaz Allajbegu në mundje?

Fatkeqësisht jo! Të paktën me punë askush nuk e tregoi veten! Nuk ka as suksese dhe sa për cilësi, është përtoke! Kush është fajtori? Nëse hyjmë në detaje, fajtori është i ditur prej kohësh, mungesa e punës nëpër shumicën e klubeve! Me këto sporte sot do të ishim fuqi sikurse është xhudoja me Majlinda Kelmendin dhe armatën e saj që ka në krye trajnerin shembullor Driton Kukajn. Driton Kuka nuk ka pikur as prej qiellit as nuk është jashtëtokësor, por puna e tij në kontinuitet me vite e vite ka prurë rezultate dhe sot janë në maje të botës. Po boksi e mundja, sporte që dikur ishin me kilometra para xhudos, sot janë mbetur pothuajse me mijëra kilometra larg xhudos. A kanë faji federatat? Pa dyshim se edhe federatat janë fajtore sepse me kohë u desh t’i identifikojnë se cilët nga boksierët apo mundësit janë potencial që duhet investuar me dhjetëra mijëra euro dhe të përgatiten për garat e nivelit më të lartë, assesi të flenë apo të mburren me suksese në ndonjë turne, kushedi se çfarë rangu është. 

Federata e Boksit dhe e mundjes duhet të ulen e të mendojnë mirë, se çka të bëjnë më tutje, ku gabuan aq shumë dhe ku duhet ndërhyrë për të bërë diçka. E dyta, a janë klubet fajtore për mungesë rezultatesh apo është edhe një keqnamenaxhim brenda tyre? Keqmenaxhim në punën profesionale sepse ta ndërtosh një sportist duhet punë e profesionalizëm, pa dyshim edhe mjete financiare. Edhe ata që janë brenda federatave duhet të gjejnë sponsorë, se për at punë janë aty dhe jo vetëm të mendojnë se kush po duket më mirë me kravatë apo me frizurë me të rregulluar. Boksi dhe mundja janë sporte që sot mund t’i quajmë si sporte të “vdekura”, s’ka suksese. Federata e Boksit dhe ajo e Mundjes, duhet t’i ftojnë edhe ekspertët e këtyre sporteve, trajnerët dhe të gjithë që merren me këto sporte, të kërkojnë më ngulmë fajtorin e mossukseseve!

Dikush është fajtorë, nuk mund të jetë faji jetim  Është e padurueshme të shohësh sportet me traditë në këtë gjendje sidomos Mehmet Bogujevci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, fort mirë e din, se në kohën e tij, se si vlonte palestra në Prishtinë, nga shikueshmëria e madhe, nga  sukseset e medaljet nga Europa e bota, e ish Jugosllavia, ku garonin në një ligë që ishte ndër më të fortat në botë, kurse sot këto sportet me traditë janë të “vdekura”. Federata e Boksit dhe e Mundjes, duhet të këndellen dhe urgjentisht të kërkojnë shkaqet e këtyre dështimeve sidomos nga trajnerët.

Turpi edhe më i madh është që as në Lojërat Mesdhetare nuk kanë fituar medalje, përveç xhudoja që i shpëtoi me fytyrë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat