Mitrovica e përgatitur për turneun e boksit - Bota Sot
Mitrovica e përgatitur për turneun e boksit

Boksi

Mitrovica e përgatitur për turneun e boksit

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 14:35
Federata e Boksit të Kosovës sot ka mbajtur konferencën e dytë për media në Komunën e Mitrovicës

Federata e Boksit të Kosovës sot ka mbajtur konferencën e dytë për media në Komunën e Mitrovicës dedikuar përgatitjeve për edicionin jubilar të turneut ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku u tha se deri më tani dhjetë shtete e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Në këtë konferencë kanë folur kryetari i Federatës së Boksit, Ramadan Selimi, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, zëdhënësi i Federatës së Boksit, Latif Demolli.

Kryetari i Federatës së Boksit, Ramadan Selimi, tha se ky turne po mbahet për të njëzetën herë me organizim të Federatës së Boksit, nën patronatin e kryeministrit dhe në mbështetje të komunës së Mitrovicës.

“Jemi në vazhdën e përgatitjeve për fazën e parë të turneut, për të cilën është treguar një interesim jashtëzakonisht i madh nga boksierë të shteteve të ndryshme. Me rastin e hapjes turneut do të ketë edhe program kulturor artistik, si dhe është konfirmuar pjesëmarrja e boksierëve me renome botërore. Gjithashtu i pranishëm do të jetë edhe boksieri legjendar shqiptar, Luan Krasniqi i cili do t’i sjellë edhe disa boksierë të famshëm nga Gjermania”, ka thënë Selimi.

Kurse, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, tha se për Mitrovicën është nder dhe privilegj që ky turne për herë të parë po mbahet në qytetin tonë.

“Ky turne do të jetë madhështor me pjesëmarrje masive të boksierëve të njohur ku deri më tani dhjetë shtete e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë turne, andaj komuna e Mitrovicës ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura në mënyrë që ky aktivitet të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ndër të tjerash drejtori Peci.

Turneu ndërkombëtare i boksit “Adem Jashari” do të mbahet në palestrën sportive “Minatori” në Mitrovicë me datën 24/25.11.2018, nga ora 15:00 deri në ora 20:00.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera