Selimi: Uroj që së shpejti edhe MKRS të reflektojë dhe të kemi mjetet

Boksi

Selimi: Uroj që së shpejti edhe MKRS të reflektojë dhe të kemi mjetet

Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 15:32
Selimi: Uroj që së shpejti edhe MKRS të reflektojë dhe të kemi mjetet

Përkundër telasheve të mëdha financiare, me të cilat po ballafaqohet tash e sa vite turneu ndërkombëtar i boksit “Adem Jashari”, organizatorët në konferencën e fundit për media janë zotuar se do të bëjnë më të mirën për ta shënuar jubileun e këtij turneu. Në prag të 20 vjetorit të turneut më të madh të boksit në vendin tonë “Adem Jashari”, këshilli organizativ ka mbajtur konferencën e tretë dhe të fundit për media, në të cilën ka shpalosur në detaje përgatitjet rreth kësaj gare.

Në fjalën e tij presidenti i FBOXK-së Ramadan Selimi ka thënë se presin që së shpejti të alokohen mjetet e dedikuara për këtë turne nga MKRS dhe se deri tash me shumë vështirësi është arritur ky rezultat. “Dua të falënderoj Këshillin Organizativ, pastaj edhe nikoqirin e këtij aktiviteti Komunën e Mitrovicës, për mobilizim dhe punë të palodhshme për të organizuar edicionin e 20-të të turneut të boksit “Adem Jashari”. Për ne ka qenë rrugë e vështirë me përgatitje gati 2 mujore, por uroj që së shpejti edhe MKRS të reflektojë dhe të kemi mjetet që i dedikohen kësaj gare” – ka thënë Ramadan Selimi.

I pranishëm në këtë konferencë ka qenë edhe drejtori i Departamentit të Sporteve të Kosovës në kuadër të MKRS-së Ibër Alaj, i cili e ka përgëzuar Federatën e Boksit për nivelin e organizimit të këtij turneu. Alaj po ashtu është përgjigjur rreth kërkesës për mjetet e vonuara duke shtuar: “Me formën e re të mbështetjes së federatave sportive dhe mënyrën e re të raportimit të tyre në MKRS, është mundësuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie”. “FBOXK me kohë ka raportuar edhe e ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm dhe po presim që sa më shpejtë të përfundojmë procedurat e kërkuara për të alokuar mjetet e radhës për këtë Federatë”.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës Mehmet Bogujevci, ka konfirmuar pjesëmarrjen e 10 shteteve, ndërsa sipas tij vetëm dy shtete me të cilat kishin kontakte nuk do të mund të vijnë në këtë edicion. “Deri tash janë 10 shtete pjesëmarrëse, të cilat do jenë sigurtë në këtë edicion. Në momentet e fundit na njoftoi Rumania që nuk do të mund të vijë më boksierë, por ata vijnë me një gjyqtar sikurse edhe supervajzeri i deleguar nga EUBC është rumuni Viorel Sima

Bosnjë e Hercegovina poashtu nuk do të mund të vijë për arsye të gjendjes shëndetësore të trajnerit që ka qenë pjesë e ekipit” – deklaroi Mehmet Bogujevci. Edicioni i 20-të i turneut të boksit “Adem Jashari” sivjet mbahet për herë të parë në Mitrovicë më 24 dhe 25 nëntor. Hapja ceremoniale do të jetë në program të shtunën në orën 15:45, ndërsa gjysmëfinalet në orën 16:00. Finalet e këtij turneu do të mbahen të dielën nga ora 16:00, në Pallatin e Sporteve "Minatori" në Mitrovicë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat