Fury akuzon gjyqtarët: Më mohuat fitoren, e gjithë bota e mësoi të vërtetën

Boksi

Fury akuzon gjyqtarët: Më mohuat fitoren, e gjithë bota e mësoi të vërtetën

Më: 2 dhjetor 2018 Në ora: 10:10
Tyson Fury

Boksieri amerikan Deontay Wilder mbrojti titullin kampion bote të peshës së rëndë, pas barazimit në duelin ndaj Tyson Fury zhvilluar në Los Anxhelos, por për britanikun, që dominoi në ring në shumicën e raundeve, vendimi i gjyqtarëve nuk ishte i drejtë.

Fury i mbijetoi dy herë rrëzimit në tapet, herën e dytë në raundin e fundit, duke treguar vendosmëri dhe guxim ndaj një “kanibali” si Wilder, që kishte të vetmen mundësi për të fituar duelin për ta hedhur “KO” rivalin, por nuk ia doli dot mbanë.

Kjo edhe për faktin se Fury kishte një strategji fituese, ashtu si edhe ndaj Klitschko 3 vite më parë, por nuk ia doli mbanë të rikthehej kampion bote, të paktën për momentin. Një gjyqtar dha vlerësimin në favor të Wilder (115-111), një në favor të Fury (114-110) dhe njëri barazim (113-113), ndaj gjasat janë që në vitin 2019 të kemi revanshin mes dy boksierëve.

Pas duelit, Fury i inatosur me këtë rezultat tha: “Bota e pa duelin dhe e di të vërtetën. Unë mendova se e kisha fituar këtë përballje dhe se do të kisha gjerdanin me vete, por vendimi i gjyqtarëve më hoqi fitoren. Unë jam një sportist profesionist, që e dashuron boksin. Nuk njoh njeri në botë, në peshën time, që të lëvizë e duelojë ashtu siç bëra unë ndaj Wilder”, tha Fury.

“Përballë kisha një boksier që grushton fort, por në këtë sfidë i evitova goditjet e tij. Nuk kam asgjë me Wilder, ai është një kampion i madh dhe e falënderoj për mundësinë që më dha. Më hodhi në tapet, por nuk kishte asnjë shans që të fitonte me “KO”, pasi tregova zemër në këtë sfidë dhe u ringrita. E ardhmja? Jam 100% i sigurtë se do të zhvillojmë revanshin, por unë do të shkojë edhe më larg se kaq. Jam rikthyer për të qenë kampion i pamposhtur i botës”, tha Fury.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat