Bledi Strakosha: Politikanët dhe të famshmit që do t’më rrëfejnë sekrete në dhomat e gjumit të hotelit luksoz

Bota e Yjeve

Bledi Strakosha: Politikanët dhe të famshmit që do t’më rrëfejnë sekrete në dhomat e gjumit të hotelit luksoz

Më: 4 mars 2019 Në ora: 19:28
Bledi Strakosha

15 vite më parë, Bledi Strakosha ishte moderatori që bëri t’i rrëfeheshin në studion e “Blue” me drita të ulura personazhet më të njohur të kohës.

Tashmë, rikthehet me një program të ri të personalizuar në ekran, ku nga politikanët te të famshmit e showbiz-it kanë pranuar t’i rrëfejnë sekretet e tyre gjatë takimeve, që do të nisin në barin e hotelit me një gotë për të përfunduar në dhomat e gjumit të hotelit luksoz. Për realizimin e këtij projekti televiziv aspak të thjeshtë, spotin ku shfaqet si pasaniku Dorian Grej me hijet e tij, Bledi zbulon detaje për “Panorama Plus”.

“Me Bledin” është formati yt i ri televiziv në RTSH, që të rikthen sërish në ekran në mbrëmje. Pse vendose të bësh një emision me titull të personalizuar?

Sepse është i tillë. Është një mbrëmje miqësore mes meje dhe miqve të mi, që janë personazhe të njohur e të rëndësishëm publikë. Është një format jashtë kornizave, ku do i shohim ndryshe jo vetëm VIP-at shqiptarë, por gjithashtu edhe Bledin, që përgjithësisht ka qenë autor e prezantues i formateve talk show, ndërkohë që me këtë format synoj të sjell më shumë një lloj reality show.

Nga spoti bie në sy luksi i një moderatori si ty që përgatitet për takimin me të ftuarit. Je aq i pasur në jetë sa në atë spot?

Nuk mendoj se ka rëndësi për njerëzit në jam i pasur apo jo, sepse në fund të ditës, rëndësi ka të jesh i pasur, e jo të dukesh i tillë, apo ta thuash këtë. Po, jam i pasur në shpirt. Programi do të zhvillohet në ambientet e Hotel Plazës, të cilëve u jam shumë mirënjohës që na mirëpritën. Kështu që, spoti gjithashtu është realizuar në ambientet e tyre, ndaj s’ka të bëjë me faktin në jam apo jo i pasur. Me personazhet, biseda do të nisë në barin e Hotel Plazës, më tej do të vijojë në restorantin, palestrën, spanë dhe në fund në dhomën e gjumit të këtij hoteli. Të gjitha këto ambiente do të nxjerrin në pah anë disi të panjohura të personazheve.

Do të jetë ky program një rikthim në “Blue”, ç’do të bësh para kamerave me të ftuarit e tu?

“Blue” erdhi në ekran në vitin 2003, në një kohë kur mungonin thuajse krejtësisht intervistat me personazhet e njohur, sot ka shumë formate që e kanë pasuar. Kështu që, në një kuptim mund ta quajmë një rikthim të “Blue”, në kuptimin që do të flitet për jetën, ndjesitë, të rejat, etj., por do të jetë më show dhe më argëtues, sepse jetojmë në kohë të tjera. Rëndësi për mua ka që çdo personazh i ftuar të ndihet vetvetja, ta harrojë që po xhirohet nga kamerat e po shihet nga mijëra sy dhe të flasë sa më hapur të mundet.

Mund t’i zbulosh të ftuarit e parë dhe nga cilat fusha do të jenë? Politikanët do të jenë pjesë e axhendës?

Emrat do të parapëlqeja t’i mbaja sekret për momentin, por do të jenë njerëz shumë të rëndësishëm e që janë shprehur rrallë publikisht. Do të jenë të fushave të ndryshme, nga Shqipëria e Kosova. Politikanët po, do të jenë pjesë e formatit, por jo për të bërë politikë.

Duke qenë se së fundi të kemi parë në një emision mëngjesi, ku e ndjen veten 100 për qind të frymëzuar, në mëngjes sa hap sytë apo në mbrëmje para se të mbyllësh sytë?

Nuk jam tip mëngjesi, më pëlqen mbrëmja, ndaj mendoj se në ato orare jap më shumë edhe për teleshikuesit.

Të zbulosh sekrete të pathëna të njerëzve të rëndësishëm në këtë vend, është qëllimi në vetvete që ti ke?

Nuk mendoj se ka të pathëna. Por edhe nëse kanë zgjedhur të mos i thonë disa gjëra, ka një arsye. Qëllimi im është që t’i shprehin gjërat më qartë, më hollësisht, e mbi të gjitha dua që të kuptoj cilat ndjesi kanë përjetuar në çdo hap të jetës së tyre. Qëllimi tjetër është t’i shohim ndryshe, nuk ndodh shpesh të shohësh njerëz publikë të japin intervistë në palestër, spa, apo edhe në një dhomë hoteli.

Ti personalisht, çfarë sekreti do të doje të zbuloje para të ftuarve të tu?

Përse kam marrë disa vendime dhe jo disa të tjera. Në jetën personale apo profesionale.

Do të jesh në ekran të premten ora 21:00 në të njëjtin orar me Arian Çanin e Kastro Zizon. Çfarë do të sjellësh ndryshe nga këta të dy?

Për ata që më njohin, besoj se nuk është e nevojshme të theksoj se ç’do sjell ndryshe nga të tjerët, sepse kjo tashmë dihet. Përgjatë thuajse 30 viteve të mia në media, synimi im ka qenë gjithnjë të argëtoj dhe informoj shikuesit, por pa fyer a lënduar kurrë askënd. Them se forma elegante dhe e vëmendshme e realizimit të bisedës, por po aq edhe e xhirimeve, do të sjellë diçka ndryshe e që mungon.

Të jesh personazh publik është kënaqësi apo stres dhe pse?

Të dyja bashkë. Jemi shoqëri paragjykuese ku shpifen fjalë edhe për komshinjtë, jo më për një person publik që është në vëmendjen e të gjithëve. Por, përgjithësisht është kënaqësi.

Je aq single sa t’i përkushtohesh televizionit me mish e shpirt, apo je aq i dashuruar sa puna të mos të duket punë e mirëfilltë nga euforia e ndjenjave?

Nuk mendoj se televizioni është një botë single-ash, përkundrazi. E kam dashur gjithnjë këtë punë dhe vazhdoj ta dua. Ndaj, e konsideroj kënaqësi, aspak një angazhim bezdisës. Shpesh do të doja që dita të kishte më shumë se 24 orë, por edhe me kaq sa ka gjendet koha për të gjitha.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat