Rona Nishliu: Albumi i veçantë që më rikthen pas martesës, si më ndihmon bashkëshorti me opinionet e tij për muzikën

Bota e Yjeve

Rona Nishliu: Albumi i veçantë që më rikthen pas martesës, si më ndihmon bashkëshorti me opinionet e tij për muzikën

Më: 18 prill 2019 Në ora: 10:00
Rona Nishliu

Pak më shumë se 6 muaj më parë, Rona Nishliu ishte nusja në altar, martesa e së cilës u konsiderua si rrufeja në qiell të hapur, pasi ishte mbajtur sekret deri ditën e ceremonisë. Këngëtarja nga Kosova, me zërin brilant, që mban sot e kësaj dite renditjen më të lartë në Festivalin Europian me “Suus”, në vend të gërshetave parakaloi në altar me vellon e nusërisë në kokë vjeshtën e kaluar.

Me stilin dhe statusin e ri shpirtëror, Rona rikthehet në muzikë me projektin e veçantë “Mindil”, ku këngët e rëndësishme të thesarit shqiptar i sjell në stilin jazz eksperimental. Për karrierën që do të ecë paralelisht me familjen, bashkëshortin dhe planin për t’u bërë nënë, Rona flet për herë të parë në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Dikur me flokët dhe gërshetat unike që të identifikonin si imazh skenik, por që tashmë nuk i ke më. Pse hoqe dorë prej tyre?

Te çdo njeri, stili ka ciklin, i cili nuk mund të referohet te ndonjë pikë absolute e fillimit ose mbarimit. Besoj që ndryshimet tek unë rrjedhin si konsekuencë e natyrës sime.

Quartet “Mindil” titullohet projekti yt i ri muzikor, që të rikthen pranë publikut. Pse ky titull dhe si do e përshkruaje përmbajtjen e këngëve të tij?

Projekti “Mindil” është përmbledhje dhe selektim i disa këngëve të rëndësishme të thesarit muzikor shqiptar, të cilat i kemi inçizuar dhe performuar në format të quartet-it. Ideja e këtij projekti ka qenë adaptimi dhe transformimi i këtyre këngëve në stilin Jazz eksperimental.

Rikthehesh në muzikë, pasi ndryshove statusin në shtator, duke lidhur kurorë me partnerin tënd. Martesa ishte oazi i qetësisë për të realizuar projektin me shumë këngë, apo familja kërkon kohën e saj?

Në rastin tim, mendoj që familja dhe muzika pashmangshëm reflektojnë në njëra-tjetrën. Albumi “Mindil” është vazhdimësi e albumit paraprak “Me motive tonat”, një përpjekje që kërkoi kohën e vet.

Cila është kënga e këtij albumi, që i dedikohet dashurisë, asaj që ke jetuar vërtet në jetën tënde, nëse mund ta themi?

Albumi “Mindil” u dedikohet me shumë dashuri të gjithë krijuesve të këngëve, vepra të cilat i rezistuan kohës dhe vlera artistike e tyre u përcoll nga brezi në brez. Shumë këngëtarë me interpretimet e tyre origjinale gjatë viteve kontribuan që këto këngë të mbesin të pavdekshme.

Me “Suus” arrite të hyje me zërin tënd në zemrat e gjithë europianëve. Ç’kujton nga ajo skenë që mund ta rrëfeje me symbyllur?

Eksperienca ime në Eurovision, si e tërë, ishte e veçantë dhe për mendimin tim, autenticiteti i gjithë atij tregimi është perfeksion.

Të ka ndodhur ndonjëherë të të qajë shpirti apo zemra aq shumë sa në atë këngë?

Pjesët e ndryshme të jetës që i kalojmë mbesin në kujtesë dhe i takojnë vetes së tyre. Ngjarjet ndodhin për arsye të ndryshme, megjithatë çfarë mbetet e rëndësishme për mua është përjetimi i tyre.

Meqë jemi këtu, e ke dëgjuar këngën “Ktheju tokës” të Jonida Maliqit dhe cilat janë pritshmëritë e tua për Shqipërinë këtë vit, duke qene se e ke përjetuar atë skenë?

Kënga “Ktheju tokës” e kënduar nga Jonida Maliqi besoj që do të jetë një kandidaturë serioze. Pritshmëritë e mia janë që Shqipëria të ketë një paraqitje sa më dinjitoze dhe plasman të lartë.

Diskutohet shumë sot diferenca mes këngëtarëve komercialë, që nuk refuzojnë as dasmat dhe atyre që i qëndrojnë besnik standardit të tyre. Ti ku e klasifikon veten, tek ata që pasurohen çdo ditë nga muzika apo ata që udhëhiqen nga pasioni i fortë?

Diskutimet për kategorizimin e këngëtarëve dhe këngëve janë normale, sepse në skenën muzikore shqiptare shquhet varieteti i zhanreve dhe stileve. Mendoj që shumëllojshmëria e bën muzikën shqiptare të pasur.

Ç’mund të tregosh për bashkëshortin, duke qenë se dasmën tuaj mediat e Kosovës e cilësuan të papritur, si rrufe në qiell të hapur?

Bashkëshorti im është dëgjues aktiv, me një shije tejet të hollë për muzikën dhe opinionet e tij më ndihmojnë shumë në krijimet e mija.

Kur do të bëhet mami Rona dhe e sheh veten një nënë me shumë fëmijë e në karrierë aktive?

Në një të ardhme të afërt shpresoj që të ketë të reja pozitive, të cilat do t’i ndaj me të gjithë.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat