Çfarë fshihet pas karakterit të dhunshëm të Trejsi Sejdinit, Miss-it gjaknxehtë që bën jetë princeshe

Bota e Yjeve

Çfarë fshihet pas karakterit të dhunshëm të Trejsi Sejdinit, Miss-it gjaknxehtë që bën jetë princeshe

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 18:06
Trejsi Sejdini

Ka një dyzim shumë të çuditshëm në personazhin e Trejsi Sejdinit, “Miss Universe Albania 2018”. Nga njëra anë, ajo na fton të admirojmë bukurinë e saj dhe sensualitetin si një vajzë e re shumë e bukur dhe nga ana tjetër, nuk arrin të mbajë nën kontroll anën e saj më të errët, atë të të qenit një tip gjaknxehtë, por edhe i dhunshëm, gati-gati e pabesueshme për një femër dhe për një vajzë aq bukuroshe si ajo.

Mbase shumë nuk e mbajnë mend faktin që Trejsi nuk u bë e njohur për herë të parë si vajza e bukur nga Elbasani, që rrëmbeu një kurorë Miss-i, por si një adoleshente, e cila rrihte një djalë dhe ajo video asokohe që Trejsi ishte e panjohur, u bë virale për faktin se si një vajzë arrinte që dhunën ta kishte pjesë të jetës së saj. Kur u zgjodh Miss, në një intervistë Trejsi tregonte se i vinte turp nga vetja kur e shihte atë video.

Madje, ajo shtoi se kishte qenë në moshë të vogël kur ka ndodhur sherri dhe ishte penduar. Por një skenë e tillë u përsërit pas disa kohësh. Teksa ajo ishte në një club në Tiranë, Trejsi u shfaq duke qëlluar me shishe në nerva e sipër. Kjo ishte hera e dytë që Miss-i përfshihej në një sherr publik. Dhe siç thonë italianët, nuk ka dy pa tre, ja ku vjen vetëm pak ditë më parë një tjetër sherr publik, ku personazh është përsëri Trejsi.

Në një video ekskluzive për “Iconstyle”, Trejsi shfaqet duke u përfshirë në një sherr të dhunshëm në njërin prej club-eve të Sarandës. 19-vjeçarja Sejdini dhe mikesha e saj, të veshura njësoj, janë përleshur me një vajzë. Arsyeja pse ka ndodhur nuk është mësuar akoma, por meqë episodet e dhunës janë kaq të shpeshta, më tepër sesa arsyeja e një sherri duhet të fokusohemi tek arsyeja pse Trejsi zgjedh dhunën në marrëdhënie me të tjerët.

19-VJEÇARJA QË BËN NJË JETË PËRRALLORE DHE I DASHURI PROBLEMATIK

Në ditëlindjen e saj të 19-të, Trejsi Sejdini ndau gjithçka me publikun. Në rrjete sociale ajo tregonte se sa madhështore ishin festimet për ditëlindjen e saj, sa shumë personazhe VIP kishte ftuar dhe mbi të gjitha, sa shumë dhurata kishte marrë dhe sa të shtrenjta. Nga trëndafilat, “iPhone” dhe makinë luksoze të tipit “Mercedez Benz” ishin në mesin e dhuratave që Trejsi mori për ditën e saj të veçantë. Të gjithë e uronin ‘Gëzuar ditëlindjen princeshë’, ndërkohë që Trejsi ishte në qiellin e shtatë si vajza që bën një jetë ëndrrash në moshë aq të re.

Por pyetja që lind natyrshëm në këto raste është: Kush ia siguron Trejsit një jetë kaq të shtrenjtë? Ajo vetë nuk ka dhënë ndonjëherë një shpjegim mbi këtë fakt, ndërkohë që “Panorama Plus” vazhdimisht ka kërkuar informacione mbi jetën e saj dhe mbi misteret që ajo mbart. Pak muaj më parë, teksa pozonte me të brendshme të bardha dhe duke tymosur një cigare, lajmet për të dashurin e saj nuk ishin pjesë e kronikës rozë, por asaj të zezë.

Ai ra në pranga bashkë me tre persona të tjerë, si kokë e grupit të kokainës “Duka” në Tiranë, i skeduar si grup i strukturuar i trafikut të drogës Shqipëri-Gjermani. Më pas, mediat shkruanin se i dashuri ishte liruar, që do të thotë se Trejsi iu rikthye jetës së lumtur me udhëtime dhe blerje super të shtrenjta, të cilat thuhet se ia bën ai. Për të festuar daljen nga burgu të të dashurit, ajo pati realizuar disa foto të nxehta, ku mori shumë komente për veshjet intime që kishte zgjedhur e deri te linjat e kuruara.

Albumi i fotografive dhe videoja që postoi në “Instagram” morën menjëherë mijëra pëlqime dhe qindra komente, nga pozitivet e deri te negativet. Lidhur me këto komente, “Miss Universe Albania” nuk ka reaguar, duke shijuar vetëm anën pozitive të tyre. Të njëjtën gjë bëri edhe me komentet që iu bënë për daljen nga burgu të të dashurit pas një operacioni të bujshëm, duke mos thënë asgjë në lidhje me faktin që u komentua dhe ajo në shkrimet për këtë çështje.

Një foto me të dashurin e saj e publikoi vetë ajo në ditën e Shën Valentitin, më 14 shkurt 2019, ku çifti zgjodhi të shijojë festën në Bali. Si asnjëherë më parë, Trejsi publikoi një foto me partnerin e saj, të cilën e fshiu vetëm pas pak minutash. Për djalin në fjalë u tha se ajo ka një lidhje prej disa vitesh. Në rrethet sociale në Tiranë ai njihet si biznesmen, ndaj dhe të dy e kanë luksin që të bëjnë një jetë përrallore. Ndërsa Trejsi në intervista ka treguar se është studente, ndërkohë që merret edhe me modeling.

NË KËRKIM TË JUSTIFIKIMEVE PËR SKENAT E DHUNËS DHE DËSHIRËS PËR TË NDRYSHUAR

Në “Instagram”-in e saj, ku ka mbi 280 mijë ndjekës, shihen edhe punët e Trejsit si modele, pasi ka marrë pjesë në klipe të ndryshme (kujtojmë “Gang Gang” nga Fero dhe “Xhelozia” nga Mozzik). Së fundmi mund të themi se ka çmendur rrjetin me videon e postuar në “Instastory” gjatë një udhëtimi në Milano. Ka pasur disa momente pendimi, ku vetë Trejsi ka deklaruar se tashmë ka ndryshuar dhe se dëshiron ta shohin si vajza e mirë dhe seksi, që tërheq vëmendjen me sensualitetin e saj, siç ka bërë me fotot e fundit.

Në fakt, nuk ia ka dalë, pasi Trejsi gjithnjë e më shumë po profilizohet si një njeri i dhunshëm dhe mbase ajo nuk arrin të ndryshojë në atë drejtim. Mbase edhe partneri i saj mund të mos e ketë problem atë pjesë, ndoshta edhe i pëlqen madje. Gjithsesi, lidhur me skenën e fundit në Sarandë, Trejsi bëri një reagim, duke u justifikuar se nuk kishte qenë pjesë e asaj skene, por thjesht ishte prezente.

Ja çfarë shkruan ajo: “Përshëndetje! Ka disa ditë që qarkullon lart e poshtë një video ku duket sikur unë përfshihem në një debat. Faktikisht, pamjet e njerëzve jashtë atij klubi të lënë ta mendosh diçka të tillë, por unë doja t’ju qetësoja sadopak të gjthëve, pasi lajmi nuk është i vërtetë. Unë kam ardhur për pushime me mikeshat e mia dhe s’kam lidhje me asnjë konflikt. Nuk është faji im që ka njerëz që zihen nëpër klube ku jam dhe unë prezente, po kjo s’do të thotë detyrimisht se kam dhe unë lidhje me sherrin. Kështu që merruni me punët tuaja, se të ishte për portalet do më kishin nxjerrë mama të divorcuar me dy kalamaj deri tani. Kalofshi një ditë të mirë!”, shkruan Trejsi në postimin e saj.

Por, në lidhje me këtë sherr, ka reaguar edhe vajza tjetër, që ishte e përfshirë në këtë sherr. Ajo shprehet se kanë rënë pre e provokimeve të turpshme me vlerë 20 cent. “Më vjen shumë turp që u bëra pjesë e një ngjarje të tillë, por me besoni që ndodh të biesh pre e provokimeve të turpshme me vlerë 20 cent. Unë, në të kaluarën time, nuk kam asnjë ngjarje të tillë, që duke u krahasuar me personin përballë, rastet kanë qenë përherë publike. Këshilla ime ishte të mbetemi FEMRA përballë çdo ‘miss transgender’ që na del para”.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat