Marsela Çibukaj planifikon dasmë VIP te Sahati i Tiranës: Me Vitmar Bashën kemi plan të lindim shumë fëmijë

Bota e Yjeve

Marsela Çibukaj planifikon dasmë VIP te Sahati i Tiranës: Me Vitmar Bashën kemi plan të lindim shumë fëmijë

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 18:42
Marsela Çibukaj

Marsela Çibukaj dhe Vitmar Basha janë në një lidhje prej disa vitesh dhe tashmë kanë vendosur ta kurorëzojnë atë në martesë këtë vit. Çifti i këngëtarëve kanë vendosur ta sfidojnë pandeminë, duke vendosur që marrëdhënien e tyre ta kalojnë në një tjetër etapë të rëndësishme.

Miqtë e çiftit kanë treguar për “Panorama Plus” se muzikantët po planifikojnë dasmën, si edhe të bëhen me fëmijë.

“Dëshira ime është që njerëzit më të ngushtë t’i kem aty, dasmën dua ta bëj te Sahati. Është një vend i bukur. Ahengun dua ta bëj në Vlorë pas dy-tri ditësh”, tha Vitmar në emisionin “Jo vetëm modë”, ku ishte ftuar së bashku me këngëtaren, “U zgjidh edhe ky muhabet”, iu kthye Marsela, e cila shtoi se ka një dëshirë shumë të madhe për të bërë me fëmijë dhe dëshiron një familje të madhe.

Image

“Dëshira është shumë e madhe për t’u bërë me fëmijë, sepse jemi të dy të rritur. Kemi përmbushur mendoj edhe ato etapat e jetës, udhëtimet, eksperiencat, muzikën. Mendoj që vjen një moment kur njeriu e ndjen të nevojshme krijimin e një familje të vetën. Dua familje të madhe”, është shprehur ajo në këtë intervistë televizive.

Të njëjtin mendim kishte edhe partneri i saj, i cili tha se ka qenë djalë i vetëm dhe nuk dëshiron që fëmija i tij të rritet pa motër ose vëlla.

“Unë kam qenë çun i vetëm. Marsela ka pasur gjithmonë familje të madhe. Ndërkohë që unë dua që fëmija im të mos jetë i vetëm. Minimumi të kemi dy fëmijë”, shtoi muzikanti.

Ndërsa Marsela përfundoi: “Ajo që mbetet më me vlerë janë krijimi i rrënjëve dhe si një familje e re kemi dëshirë të fillojmë të vendosim rrënjët. Kjo është dëshira më e madhe e jona për momentin.”

Image

Ndërsa në programin “Rudina”, ata rrëfyen edhe më tepër për historinë e tyre të dashurisë dhe sesi të dy bashkë po ecin në rrugën e bukur të dashurisë dhe muzikës.

“Ndonjëherë na marrin mësysh dhe zihemi. Vitmari është ai më i qëndrueshmi sepse ne vajzat na merr pak më shumë emotiviteti. Vitmari kapet te thelbi, unë te detajet. Thelbi është që ka ndjenja të sinqerta dhe të ndërthurura me pasionet që ne kemi që në vegjëli. Muzika është nga të parat, por jo vetëm, udhëtimet na pëlqejnë, edhe gatimi na pëlqen”, tregoi Marsela.

Vitmari tregoi se ai është rregulli, ndërsa Marsela kaosi që krijon gjëra të bukura: “Mund të themi që Marsela është kaosi, unë jam rregulli, e çuditshmja. Marsela është kreativiteti, e cila me dy nota arrin të krijojë këngë. Kaosi që e karakterizon bën që të krijojë gjëra shumë të bukura”.

Vitmari me Marselën kanë qenë miq të mirë, por më vonë zbuluan se miqësia e tyre ishte edhe më e fortë. Vitmari ishte i pari që e bëri publike lidhjen e tyre, në momentin që publikoi albumin e tij me titull “9”, i cili i dedikohej dashurisë së tij, Marselës.

“Unë dukem sikur jam i ndrojtur, si ai që nuk flet, që nuk vepron, por në të vërtetë jam unë ai që mbrapa kuintave… Shkuam pimë një kafe, pastaj filluan mesazhet. Unë shkoja e shikoja kur Marsela luante live, ajo vinte kur unë isha live”.

Për herë të parë, Marsela tregoi edhe një moment që ata e ruajnë me mjaft kujdes, si një nga kujtimet më të bukura të lidhjes së tyre, vallëzimin nën shi. “Ishte vonë, binte shi, po ktheheshim për në shtëpi, Vitmari vendosi një CD dhe më ftoi të vallëzonim. Situata ishte shumë sureale, sepse të vallëzosh nën shi, një djalë që të fton brenda në makinë të dalim jashtë dhe të vallëzojmë nën shi dhe aty ndodhi dhe puthja e magjishme. Ja ku jemi këtu, edhe me zënkat tona”.

Image

Le të shohim si do të duket Marsela si nuse pas përgjysmimit spektakolar të peshës dhe dukjes tashmë të mirë. Kujtojmë që dalja e tyre e parë në publik ishte në koncertin e Ermal Metës në Pallatin e Kongreseve, ku dhe dolën fotot e para në çift të këngëtares së talentuar Marsela Çibukaj me Vitmar Bashën. Ata ishin bashkë dhe madje nuk ndalonin në përqafimet që i jepnin njëri-tjetrit.

Këtë lidhje e dekonspiroi si fillim Vitmari, këngëtari që bie në sy për kaçurrelat e tij. Ai ishte i ftuar në emisionin “Lart e Poshtë”, ku dhe u shpreh se Marsela jo vetëm që ishte e dashura, por edhe muza e tij. Lidhja duket po shkon aq mirë, sa çifti i këngëtarëve po diskuton martesën. Sërish është Vitmari ai që tregon ndonjë gjë dhe e pohoi hapur tek emisioni “Gjesi”, se shumë shpejt Marsela mund të shkojë drejt altarit e veshur me fustan të bardhë.

Dhe natyrisht që ajo ka nisur prej kohësh përgatitjet për ditën e saj të madhe, duke e nisur çdo gjë nga forma fizike. Në daljet e saj të fundit është parë një ndryshim spektakolar në fizikun e saj, pasi shihet tashmë e përgjysmuar në peshën trupore.

Hamendësimet se mes çiftit kishte diçka më shumë se miqësi kanë qarkulluar me kohë në rrethin e artistëve, por rrëfimi i Vitmarit se i kishte bashkuar muzika dhe se Marsela kishte qenë muza e tij për albumin e ri, të titulluar ‘9’, i vuri vulën kësaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat