Pas telasheve me përndjekësin, Luana Vjollca mbërrin në Dubai me gjithë pasanikët e botës për pushime luksoze në kohë pandemie

Bota e Yjeve

Pas telasheve me përndjekësin, Luana Vjollca mbërrin në Dubai me gjithë pasanikët e botës për pushime luksoze në kohë pandemie

Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 11:58
Luana Vjollca

Pas mbylljes së sezonit të katërt të “Shiko kush Luan”, Luana Vjollca vendosi të marrë disa ditë pushime duke udhëtuar drejt Dubait, për t’u shlodhur e për t’u rikthyer me energji për projektet e reja.

Duket se bashkëpunimi me stilistin e njohur Philipp Plein që nisi te kënga “Locos”, ku Luana erdhi në një duet me artistin kolumbian, Jay Santos, ka qenë i suksseshëm dhe stilisti i famshëm nuk lë rast pa e treguar këtë mirënjohje.

Luana ka bërë një postim ku tregon se është surprizuar nga stilisti gjerman Philip Plein, pikërisht në nisje të këtyre pushimeve dhe me sa duket ishte motivimi i duhur për t’i shijuar plotësisht këto ditë pushimesh.

Image

Ndërkohë, nga Dubai nuk kanë munguar fotot e postuara në rrjetet sociale nga vetë Luana, ku dëshmon se sa bukur po ia kalon atje duke shijuar vërtet pushime luksoze. Luana i është bashkuar Dubait, destinacioni i gjithë pasanikëve të botës në këtë kohë pandemie, pas telasheve me një djalë që e përndiqte.

Policia e Tiranës e arrestoi të riun nga Kosova disa ditë më parë, i cili akuzohej se prej disa muajsh përndiqte moderatoren e “Top Channel”, Luana Vjollcën. Ajdin Morina kishte një vit e gjysmë që e përndiqte, ndërsa mbrëmjen e së hënës ishte parë afër pallatit ku jeton Luana.

Policia mori sinjalizim për këtë veprim të të riut dhe është vënë menjëherë në lëvizje, duke qenë se e kishte person të shpallur në kërkim. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, shërbimet e Komisariatit Nr. 1 kanë bërë arrestimin e tij në Pikën Kufitare të Morinës, në tentativë për t’u larguar në drejtim të Kosovës.

Megjithëse është përndjekur dhe shqetësuar vazhdimisht nga 29- vjeçari, Luana Vjollca sërish pati një lutje për policët, në momentin që është thirrur për të dhënë deklarimin e saj.

Image

Ajo u ka kërkuar atyre që të silleshin mirë me të riun nga Gjakova, edhe se ai e kishte shqetësuar aq shumë. “Ju lutem mos vini dorë!”, u është drejtuar Luana efektivëve të Policisë në Komisariat. Moderatorja e njohur përfundoi në Prokurori disa ditë më parë për shkak të një personi që e përndiqte dhe i sillte shqetësime.

Prezantuesja shumë e ndjekur dhe e komentuar e denoncoi këtë person në Prokurorinë e Tiranës, pasi u shpreh se i ishte kthyer në burim stresi. Burime nga Policia thanë se pas denoncimit që Vjollca kishte bërë në organet ligjzbatuese, është bërë identifikimi dhe shpallja në kërkim e të dyshuarit. Ky i fundit u arrestua disa ditë më parë, teksa tentonte të largohej në drejtim të Kosovës.

Image

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. M., 29 vjeç, banues në Gjakovë, Kosovë. Policia e Tiranës arrestoi të riun nga Kosova, i cili akuzohet se prej disa muajsh përndiqte moderatoren e “Top Channel”, Luana Vjollcën”, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës.

LUANA VJOLLCA DHE INCIDENTET ME FANSAT NGA KOHA KUR ISHTE VELINË E DERI SOT

Para këtij rasti, Luana Vjollca është përballur edhe më herët me persona që e kanë përndjekur, shqetësuar, kërcënuar, madje në ndonjë rast kanë shkaktuar edhe incidente, duke u përplasur fizikisht e janë nxjerrë edhe armët.

Një rast i tillë ndodhi në Tiranë më 12 prill të vitit 2017. Përveç shqetësimeve që i kishte shkaktuar që prej fundit të vitit 2016, fansi i saj është përleshur pasditen e datës 12 prill të 4 viteve më parë me të dashurin e moderatores. Madje, ngjarja mund të kishte qenë edhe më e rëndë, në rast se Policia nuk do të ndërhynte në kohë për të arrestuar autorin e ngjarjes, i cili është kapur kur po tentonte të nxirrte nga çanta një pistoletë.

Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë në atë kohë se në afërsi të një hoteli në Unazën e Re kanë arrestuar 32-vjeçarin Besmir Lila, me akuzën e përndjekjes, ndërhyrjes, armëmbajtjes pa leje dhe dëmtimeve të tjera me dashje. Ai akuzohet se ka përndjekur prej 4 muajsh Luana Vjollcën, ndërsa mbrëmjen e datës 12 prill ka goditur me grushte, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë, të dashurin e saj Krenar Çoçaj, banues në Kosovë.

“U arrestua në flagrancë shtetasi Besmir Lila, 32 vjeç, banues në fshatin Lundër, pasi përndjek shtetasen Luana Vjollca, 26 vjeçe, banuese në Tiranë, dhe te një hotel ka goditur me grusht shtetasin Krenar Çoçaj, 29 vjeç, banues në Kosovë. Nga kontrolli fizik, shtetasit Besmir Lila iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës në njoftimin e vitit 2017.

Ndërkohë kur ajo ishte në fillimet e saj në televizion si velinë e pak më vonë, rrëfeu vetë për “Panorama Plus” historinë e përndjekjes nga një pedagog i një universiteti privat në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat