“Për ata që prisnin djalë, sipas Kushtetutës Geraldina jonë trashëgon fronin”- Elia Zaharia rrëfehet pasi bëri me vajzë Familjen mbretërore

Bota e Yjeve

“Për ata që prisnin djalë, sipas Kushtetutës Geraldina jonë trashëgon fronin”- Elia Zaharia rrëfehet pasi bëri me vajzë Familjen mbretërore

Më: 21 shkurt 2021 Në ora: 11:16
Elia Zaharia

Pas ardhjes në jetë të vajzës së tyre, Princ Leka dhe Elia Zaharia ndanë në fund të tetorit 2020 më ndjekësit e tyre emocionet e të qenurit prind.

Përmes një postimi në “Facebook”, teksa falënderonte të gjithë ata që e kishin uruar, e konsideronte lindjen e saj një “Përshëndetje nga bota e engjëjve”.

Kjo, sepse Elia zbuloi se princesha Geraldinë lindi në 18-vjetorin e ndarjes nga jeta të mbretëreshës Geraldinë.

Image

“Të dashur miq, ju falenderojmë përzemërsisht për urimet tuaja me rastin e lindjes së vajzës sonë, Geraldinë! Të qenit prind është një bekim, që falë Perëndisë ne të dy po e shijojmë çdo moment. Dita e lindjes së Princeshës sonë ishte veçanërisht emocionuese, pasi erdhi në ditën kur plot 18 vjet më parë, Mbretëresha Geraldinë u largua nga kjo jetë. Për ne të dy ishte një përshëndetje nga bota e engjëjve. Ne si prindër urojmë me gjithë zemër që Princesha e vogël Geraldinë të rritet e shëndetshme, ta ketë zemrën të mbushur me dashuri, ta dojë dhe ta vlerësojë jetën dhe jeta ta përkëdhelë me butësi dhe ëmbëlsi vogëlushen tonë!”, shkruante Elia.

Në një intervistë për kopertinën e revistës “Who”, pyetjes se kujt i ngjan vajza, Elia u përgjigj: “Geraldina i ngjan shumë Princ Lekës. Qëkur ishte ende në barkun tim dhe e shihnim në eko, doktoreshë Merita thoshte që i ngjan babit. Dhe ashtu vërtet, kur lindi ishte njësoj si Leka (krahasuar me fotot e tij si i porsalindur). Këtë thonë të gjithë dhe mua jo vetëm nuk më mërzit, por përkundrazi më gëzon.

Image

Gjithmonë i kam shprehur Lekës dëshirën të kem një vajzë, që t’i ngjajë atij. Princ Leka ngjan në shumë tipare me gjyshen e tij, Mbretëreshën Geraldinë, e cila ka qenë një nga vajzat më të bukura të epokës së saj. Gjithsesi, fëmijët ndryshojnë dhe asnjëherë nuk i dihet kujt do t’i ngjajnë derisa rriten. Unë e vogël i ngjaja shumë babit, por sot të gjithë më thonë që jam si mami. Dhe me të vërtetë tiparet apo ngjyrat mund t’i kem si babi, por hija e mamit është dominuese. Te Geraldina e vogël unë arrij të dalloj që tani që herë pas here ka vështrimin tim (te fotot kur kam qenë bebe kuptohet).”

Ndërsa në lidhje me gjininë dhe a është e rëndësishme që familja mbretërore të ketë një trashëgimtar djalë, ajo iu përgjigj: “Jo vetëm nga familja e Princ Lekës, por që në maternitet nga stafi përsëritej urimi ‘Herë tjetër me djalë’! Është argëtuese, pasi tregon se ende djali shihet me përparësi në shoqërinë tonë dhe mua më duket si një urim që vjen si eko e një kohë tjetër. Për ne të dy nuk ka asnjë ndryshim, vajzë apo djalë, fëmija është njësoj bekim nga Zoti. Familja Mbretërore shqiptare nuk jeton jashtë kohës së saj, sot jemi në shekullin e 21 dhe absolutisht produkt i kohës sonë.

Image

Jo vetëm ne, por edhe familjet e tjera mbretërore që kanë pasur në Kushtetutën e tyre trashëgiminë e kurorës në vijë mashkullore, sot e kanë ndryshuar me ligj, pasi është një traditë diskriminuese në epokën ku jetojmë. Në vendet mbretërore fëmija i parë trashëgon kurorën. Sipas Kushtetutës së mbretërisë shqiptare, linja duhet të kalojë drejtpërdrejtë nga trashëgimtarët e Mbretit Zog. Nëse lind një djalë, ai trashëgon fronin, nëse lind një vajzë dhe nuk lindin djem, e trashëgon ajo deri në lindjen e një djali prej saj apo fëmijëve të saj.

Princ Leka dhe unë dëshirojmë që edhe nëse do të kemi një djalë më vonë, të dy të kenë shansin e barabartë dhe në moshën 18- vjeçare të vendosim cili nga fëmijët mund të trashëgojë kurorën. Kjo, pasi njëri mund të jetë më i përshtatshëm, pavarësisht gjinisë. Pesha e një kryetari të Familjes Mbretërore nuk është dhe aq e lehtë, pasi sensi i detyrës dhe përgjegjësisë të shoqëron gjithë jetën. Jo çdokush mund të ketë dëshirë apo vokacion ta mbajë këtë rol, ndaj mendojmë se është një vendim që duhet marrë kur fëmijët janë të pjekur mjaftueshëm dhe kur mund të dallosh me qartësi se cili është më i prirur për një jetë të dedikuar dhe aspak vetjake”.

Se si e përkëdhelin shkurt ajo tha: “Deri tani bebushja ka shumë epitete përkëdhelëse që ndryshojnë nga dita në ditë. Unë argëtohem kur e thërras bukfiqe. Mbretëreshën Geraldinë kur ishte e vogël e thërrisnin me përkëdheli Mimi”.

Ndër të tjera, ajo ka rrëfyer nga historia e gjatë e dashurisë me Lekën, që kaloi në të gjitha fazat tradicionale: “Jemi njohur në 2008-ën dhe atëherë filloi një histori e bukur miqësie, që gradualisht na solli gjithmonë e më pranë njëri-tjetrit. Distanca ishte e vështirë dhe zgjati rreth dy vite, por e kaluam me dëshirën për ta çuar përpara njohjen tonë.

Të them të drejtën, edhe pse kanë kaluar disa vite, nuk e kam ndjerë shumë kohën. Kjo besoj është si rezultat i një lirie që gjejmë në marrëdhënien tonë, ku secili është krejtësisht i pavarur në angazhimet profesionale, në miqësitë dhe zgjedhjet që bën. Kjo i ka dhënë frymëmarrje mendoj kësaj marrëdhënieje, duke mos e bërë të rëndë dhe imponuese. Për natyra të pavarura si ne, besoj ky është një çelës shumë i rëndësishëm.”

E si është Princ Leka si babi? “Leka është shumë i përkushtuar dhe i jep shumë dashuri dhe vëmendje vogëlushes sonë. Natën ai zgjohet më lehtë se unë dhe është shumë i kthjellët. Unë dua pak më shumë kohë deri sa të më ikë përgjumja… Zakonisht, është i qetë dhe nuk bën panik, por kujdesin e ka njësoj si unë. Kjo më jep shumë besim dhe qetësi, pasi e kam mbështetje në çdo moment.

Jam shumë e lumtur për përkushtimin e tij, madje nuk e kam imagjinuar që do ishte kaq i dhënë pas vajzës!”. Dhe nëse ka plan për fëmijë të dytë dhe kur, Elia thotë: Do dëshironim që Geraldina të ketë një vëlla ose motër, por është ende shpejt për ta menduar konkretisht kohën e përshtatshme. Për momentin, energjia jonë është e përqendruar te Geraldina. Do donim që të mos i mungonte për asnjë çast përkushtimi dhe vëmendja jonë, ndaj bebja e dytë ndoshta do presë pak”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat