Tayna rikthen Flori Mumajesin me zë e figurë në këngën për dashurinë pas ndarjes, ç’ka ndodhur në 1 vit jetë private të kantautorit

Bota e Yjeve

Tayna rikthen Flori Mumajesin me zë e figurë në këngën për dashurinë pas ndarjes, ç’ka ndodhur në 1 vit jetë private të kantautorit

Më: 22 shkurt 2021 Në ora: 11:44
Flori Mumajesi

Repereja Tayna nga Kosova dhe kantautori i njohur nga Shqipëria, Flori Mumajesi, janë bërë bashkë për duetin me titull “Magdalena”, kënga më e re dhe bashkëpunimi i parë i tyre.

Taynën e pamë shumë ndryshe në këtë klip, pak më larg repit të fuqishëm që ka realizuar më së shumti, ku në duet me Florin shfaqej më romantike e që i këndon dashurisë. Ndërsa Flori u shfaq me zë e figurë pas më shumë se 1 viti shkëputje, duke qenë që gjatë gjithë kësaj kohe kantautori mjaft i pëlqyer ka publikuar vetëm një klip me titullin ‘Dhemb’ që e riktheu në treg, por vetëm si audio.

‘Magdalena’ më në fund u nxori mallin fansave për Florin. Fabula e këngës është përjetimi i thellë nga ndarja e një çifti, dhe dukshëm është xhiruar javët e fundit pasi pak prapaskena i kemi parë në ‘Instagram’. Për më tepër nga klipi kuptojmë se është xhiruar jashtë në të ftohtë, me shumë gjasa në Kosovë. Po si lindi kjo këngë që i këndon lëndimit pas fundit të një dashurie që zgjati pak, por ishte shumë lart si ndjenjë.

Kënga mban autorësinë e melodisë dhe vargjeve të krijuesit të hit-it të tjetër të Taynës “Qe qe”, Endrit Mumajesi (Muma), në bashkëpunim me Taynën e Flori Mumajesin, dhe është një produksion muzikor i Cricket. Në tekstin e këngës “Magdalena”, veçohen vargjet e kënduara nga Flori, ku brenda fabulës i drejtohet asaj me “si ma bën jetën pa mu”, ndërsa vazhdon: “Dhe pse zgjati shumë pak pak/ Dashnia ishte nalt nalt”.

Një ditë para publikimit, si Tayna, ashtu dhe Flori, postuan foto të njëri-tjetrit në “Instagram” shoqëruar me zemër të kuqe. Direkt pas lançimit kënga mori mijëra pëlqime e komente, duke rezultuar mjaft e pëlqyer që në orët e para të publikimit. Kujtojmë që Flori Mumajesi prej ca kohësh ishte “zhdukur” nga rrjetet sociale, por këngëtari u rikthye për të njoftuar ndjekësit se për festat e fundvitit i kishte surprizuar me një baladë.

“Dhemb” titullohej kënga e tij, që i dedikohej humbjes së njerëzve të afërm. “Jetojmë në kohë të vështira, më falni që shpirti s’më krijoi një këngë festive! Thjesht nuk munda dot!”, shkroi Flori Mumajesi në statusin e tij prekës.

Në vazhdim, ai ka treguar se është përmalluar për periudhën kur gjërat ishin në normalitet. “Mall të jemi bashkë pa rregulla e t’i bëjmë ata që na duan të festojnë”, shkroi kantautori krahas një foto me anëtarët e ekipit të tij “Threedots”. Balada e tij “Dhemb” u prit mjaft mirë nga publiku shqiptar dhe në një javë grumbulloi 1 milion klikime.

Lind pyetja çka ndodhur me jetën e tij gati një vit nga fillimi i karantinës kur u pezulluan dhe koncertet? I zoti për ta mbajtur jetën private sa më private, edhe këtë herë ia doli, edhe pse këtë vit ka pasur më shumë nota gri nga artisti, ndikuar edhe nga pasojat e pandemisë në të gjithë botën. Në gusht 2020 Flori Mumajesi festoi 38-vjetorin e lindjes dhe mori urime të shumta nga miq, kolegë dhe fansa të tij.

Pas përfundimit të ditëlindjes, ai reflektoi për atë ditë duke bërë një deklaratë të pazakontë në rrjetet sociale. Këngëtari hodhi kunja ndaj disa personave që e uruan për 38-vjetor, duke u shprehur se për ditëlindjen mundohen ta lumturojnë, ndërsa ditët e tjera të jetës e shkelin me këmbë. Ai shtoi se njerëzit që janë munduar ta surprizojnë në ditën e lindjes i kanë faturuar kosto të mëdha në kurrë për çdo ditë të jetës.

“Nuk kam pasur kurrë pritshmëri të mëdha për urime apo surpriza për ditëlindjen time. Kurrë … Por ja që vit pas viti janë munduar të më lumturojnë për ditëlindje e më pas të më shkelin çdo ditë të jetës, janë munduar të më surprizojnë për ditëlindje duke më faturuar kosto të mëdha për atë ditë në kurrizin tim çdo ditë të jetës”, shkroi Flori Mumajesi.

Para karantinës, Flori pati sukses me këngën e tij “Thjesht të du”, për të cilën tha me humor ose se do ta këndonte në dasmën e tij, ndërsa fitoi “Këngën Magjike” me një krijim të kënduar nga Eneda Tarifa.

Sa për jetën sentimentale, këtë një vit nuk kemi dëgjuar asgjë nga fronti i Flori Mumajesit, për të cilin mediat kanë shkruar sa herë që ai ka dalë thjesht në foto apo video me ndonjë vajzë showbizi, por që asgjë nuk ka konfirmuar.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat