Ylli Limani zëvendëson Tuna Sejdiun me Luana Vjollcën pas 5 vitesh, “lufta” e dy vajzave VIP për këngëtarin që doli nga një talent show

Bota e Yjeve

Ylli Limani zëvendëson Tuna Sejdiun me Luana Vjollcën pas 5 vitesh, “lufta” e dy vajzave VIP për këngëtarin që doli nga një talent show

Më: 19 prill 2021 Në ora: 07:01
Ilustrim

Dy vite pasi e pamë shumë pranë dhe në duet me Tuna Sejdiun, tashmë këngëtarin më të pëlqyer të momentit, Ylli Limanin, do ta shohim “çift” me Luana Vjollcën.

Ky duet do të realizohet 5 vite pas një “lufte të heshtur” mes dy vajzave VIP në vitin 2016. Për një kohë të gjatë, Luana Vjollca ka qëndruar larg muzikës, për shkak të angazhimeve profesionale me emisionin “Shiko kush luan”. Pasi mbylli sezonin, tashmë fokusi kryesor i saj është muzika.

Këngëtarja dhe moderatorja ka udhëtuar këto kohë drejt Prishtinës për të punuar këngët e saj të reja. Sipas mediave të Kosovës, aktualisht Luana ndodhet në Prishtinë, jo vetëm për arsye private bashkë me të dashurin, Krenarin, por edhe për shkak të finalizimit të projekteve muzikore.

Deri në sezonin e verës, ajo do të ketë gati disa këngë të reja të punuara nga disa producentë, duke përfshirë edhe bashkëpunëtorin e hershëm të saj, Bini Diez. Por surpriza më e madhe është bashkëpunëtori tjetër, me të cilin Luana ka vendosur të punojë për një këngë të re.

Është mësuar se një nga këngët e Luanës po punohet nga Ylli Limani dhe kjo është hera e parë që ata bashkëpunojnë për projekte muzikore. Ky duet, fabula e të cilit flet sa një mijë fjalë, finalizon me projekt një tentativë të hershme të Yllit me Luanën, pikërisht në vitin 2016.

Ndërkohë që Ylli deklaroi madje në një emision se një duet ishte arsyeja e shoqërimit të tj me Luanën, më pas u pa që të bashkëpunonte me Tunën. Për këtë bashkëpunim, Luana, pak ditë më parë, hoqi dorë përfundimisht nga pamja e saj me flokët bjond. Me rastin e Pashkës, ajo vendosi të bënte edhe një ndryshim drastik në look, duke i lyer flokët në ngjyrë portokalli.

Ndryshimi në pamje u prit shumë mirë nga fansat e saj dhe tashmë na mbetet të shohim nëse kjo erdhi si pasojë e projekteve të reja muzikore, me të cilat po merret aktualisht. Ky do të jetë dueti i dytë i përfolur i Yllit, pas atij të pak viteve më parë me Tuna Sejdiun. Madje, disa vite më parë, këngëtarja Tuna Sejdiu u përfol për një lidhje intime, përtej miqësisë, me këngëtarin Ylli Limani.

Shkak për këtë dyshim u bë një foto nga jeta e natës, ku Ylli e kishte mbërthyer gjithë passion këngëtaren. Duket se pas disa gotave dhe nën ndikimin e atmosferës së një klubi nate, edhe një pozim i tillë ishte i pranueshëm sa për t’u hedhur në “Snapchat” nga ata, duke përmbysur me një pozë deklaratat se janë thjesht shokë.

Kaq mjaftoi që Tuna Sejdiu dhe Ylli Limani të ishin në shënjestër të portaleve për një marrëdhënie që tejkalonte shoqërinë. Këto dyshime u nxitën edhe nga fakti se ata shiheshin vazhdimisht bashkë në studio, koncerte e klube dhe kaq mjaftoi për të menduar për një lidhje të mundshme. Më pas, ajo bëri lëvizje të shpejta në jetën e saj sentimentale.

Pa u larguar ende zhurma e thashethemnajës për Yllin, ajo u njoh me një tjetër muzikant nga Prishtina, Patris Berishën, me të cilin u martua dhe sollën në jetë djalin e tyre, Tian. Dhe për çudinë e të gjithëve, Ylli ishte sërish i pranishëm në martesën e tyre, duke folur madje në media për lidhjen speciale që ruan me Tunën.

Për këtë marrëdhënie, që foli jo vetëm media, por edhe vetë Tuna, Ylli ishte personazhi kryesor në albumin e saj të ri “Fortuna”, që inauguroi me një koncert të mbajtur në Shkup para dy vitesh. Pas atij koncerti, dedikuar dashurisë së vërtetë, Tuna publikoi një nga një edhe klipet, ku vlen për t’u veçuar dueti “A don hala” me Ylli Limanin.

Kjo baladë, që i dedikohej një dashurie të pamundur, u kthye në hit në “YouTube”. Disa ndjekës e komentuan si këngën që Tuna dhe Ylli ia kushtojnë historisë së tyre të pamundur, edhe pse tingëllonte mjaft e guximshme kur mendon se kjo ide është hedhur në dritë në sy të burrit të saj, Patris Berishës. Për të ftuarin special të albumit, Yllin, ajo thuri një varg falenderimesh në profilin e saj në “Instagram”.

“Yll, mezi pres, publiku të dëgjojë këngën e shkruar nga ti ‘Plagë’ dhe duetin tonë ‘A don hala’… Dije se ti nuk je prezent vetëm aty, ti je kudo në album. Nga fillimi deri në fund. Ashtu si që ishe me mua nga fillimi deri në publikimin e albumit. Nuk mjaftojnë fjalët për të të thënë faleminderit dhe për të shpreh mirënjohjen që kam për ty si artist dhe si mik! Të faleminderit që më binde se gjithato, që i kam brenda (e për të cilat ta kam lodh kryt ditë e natë), duna me i derdh n’kang! Të faleminderit për pjekurinë artistike! Të faleminderit që ishe pjesë e albumit! Të faleminderit që i dhe koncertit nur të veçantë! Të faleminderit që më ke duru! Të faleminderit që të kam! “, shkruante Tuna për Yllin në “Instagram”.

Nuk mungoi as Ylli me dedikimin e tij, ndërsa u shpreh: “’A don hala’ me Tuna Sejdiu për krejt ju që keni dhanë ç’ka keni pas, e në emër të dashnisë.”

Në vargjet e këngës, Ylli i tha Tunës: “A ka mbetë diçka që s’ta kam dhanë? Kudo preke, shenjë më ka mbetë”, ndërsa artistja ia kthen: “Kjo dashni s’e pat dorën e lehtë, nuk e paska as këmbën e mbarë!”. Theksojmë se ende pa u bërë 24 orë nga publikimi, kënga numëroi mbi gjysmë milion klikime në “YouTube”, ndërkohë që pjesë e skenave të albumit “Fortuna” u bë edhe burri i saj aktual, Patrisi, të cilit i dha një puthje në buzë duke performuar.

Vlen për t’u veçuar që kjo marrëdhënie e Tuna Sejdiut me Ylli Limanin nisi në verën e 2016-s, pikërisht në të njëjtin vit kur Ylli po shihej edhe pranë Luana Vjollcës. Por, me sa duket, nga bisedimet e atij viti, mendjen e para ia mbushi Tuna për duet, ndërkohë që me Luanën presim duetin surprizë pas plot 5 vitesh.

Ylli Limani është djali nga Prishtina mjaft i kërkuar i momentit, që lëvron muzikën pop. Ai u bë i njohur për publikun pas paraqitjes së tij dhe suksesit në edicionin e parë të talent show-t “The Voice of Albania”, në nëntor të vitit 2011, kur ishte vetëm 17 vjeç.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat