Alida Duka: Si u bë hit botëror kënga e jetës sime, është historia 8-vjeçare e dashurisë që përfundoi me ndarje

Bota e Yjeve

Alida Duka: Si u bë hit botëror kënga e jetës sime, është historia 8-vjeçare e dashurisë që përfundoi me ndarje

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 12:05
Alida Duka

Në Shqipëri e njohin si motra e Stines, por kur kantautori shkon në Gjermani, ai shkel në terrenin e Alida Dukës. Prej 23 vitesh ajo jeton jashtë vendit, ku ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar si kërcimtare dhe këngëtare.

Por tashmë emri i saj ka marrë famë botërore, pasi kënga me titull “E vuaj” është shndërruar në hit të momentit. Për kompozimin e saj biografik, dedikuar ndarjes nga i dashuri pas 8 vitesh, jetën si nënë e vetme e një djali, që s’merret me art dhe pse nuk e ka plan martesën, Alida flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Nga kënga “Ty do të dua” vitin e kaluar, si ka vazhduar jeta jote dhe karriera si këngëtare?

Pas këngës “Ty do të dua”, që u pëlqye shumë si këngë, (gjë që e vë re në reagimin e publikut kur e performoj), na duhej të bënim një pauzë, pasi humbëm njeriun më të shtrenjtë për ne, babin!

Je njohur në Shqipëri si motra e Stines. Por kur vjen ai në Gjermani, e njohin si vëllai i Alidës, pra, ke arritur të krijosh territorin tënd si artiste atje?

Po, kjo ndodh kur vjen Stine në Gjermani, pasi jam në territorin tim atje. Kurse në Shqipëri, ngaqë kam 23 vjet që jam larguar, është Stine ai që i ka qëndruar më afër karrierës dhe mediave.

Si motër e vëlla, sa afër jeni si bashkëpunëtorë, ia beson atij gjithmonë këngët e tua, apo tashmë bashkëpunon me të huaj?

Me Nestin konsultohem për çdo gjë, si për këngët e radhës e projektet që planifikoj me të huaj. Pa atë nuk bëj asnjë veprim.

Këtë vit është 20-vjetori i festivalit “Kënga Magjike”, ke bërë plan të marrësh pjesë në garë?

Do kisha shumë qejf të merrja pjesë te “Kënga magjike”, por nuk e arrij dot për çështje kohe.

Dihet që lufta e votimeve është një nga momentet më të nxehta të garës. Nëse do të ishe në një garë me Stinen, do ia jepje atij maksimumin e pikëve?

Nestit do ia jepja pikët jo se është vëllai im, por sepse e meriton. Gjithmonë arrin me këngët e tij të prekë zemrat e njerëzve, si me baladat po ashtu edhe me ato ritmike.

Kur vjen në Shqipëri, cilët këngëtarë i takon si miq dhe të duket se ekziston xhelozia e tepruar mes kolegëve?

Xhelozia ekziston gjithandej dhe kjo nuk më shqetëson shumë. Kur jam në Shqipëri, nuk takoj asnjë këngëtar sepse jam gjithmonë me kohën si me kronometër. Kështu që, më shumë na rastis të takohemi vetëm nëpër koncerte.

Je shprehur se bën jetë aktive si artiste me shumë koncerte dhe udhëtime nga një shtet në tjetrin. Ke arritur standardin e jetës së një dive?

Për jetën që bëj, jam super e kënaqur dhe nuk do të doja asgjë tjetër më shumë nga ç’kam tani. Të gjitha çfarë kam krijuar rreth meje, i kam ndërtuar vetë dhe kjo është kënaqësia ime më e madhe.

Je nënë e vetme e një djali tashmë të rritur, çfarë këshillash i jep dhe cili është orientimi që ai po merr në jetë?

Anxhelo ka marrë rrugën e tij të duhur në jetë e që unë kisha dëshirë si nënë t’ia jepja atij. Ai studion për Fizikë dhe Informatikë dhe është një djalë, që nuk më ka shqetësuar ndonjëherë, pasi është i zoti i vetes për çdo gjë.

Është dashuria një nga qëllimet e tua në jetë dhe do e provoje martesën në këtë fazë që je?

Të martohem? Jooooo. Bashkëjetesë gjithashtu jo, pasi me këtë jetë që bëj unë, nuk më ngel kohë për lidhje. Më vonë ndoshta po, por, për momentin, jam shumë  mirë kështu siç jam.

Për çfarë kënge po punon tani dhe përveç muzikës, ç’plane të tjera ke për jetën?

Kënga që do të dalë tani është remix-i i këngës “E vuaj”, e cila është bërë hit në Rusi, Armeni, Gjeorgji, Azerbajxhan, etj.. Menduam me Stinen t’i bënim një remake me një klip të ri.

Kënga e repertorit tënd, që flet për histori nga jeta jote?

Pikërisht, kënga “E vuaj”, një kompozim ky i imi. Këtë këngë e kam realizuar para 4-vjetësh, kur u ndava nga lidhja 8-vjeçare që kisha.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat